Disa orë pas lirimit, Erdogan e riarreston aktivistin për të drejtat e njeriut

Osman Kavala, biznesmen dhe aktivist i njohur për të drejtat e njeriut, është riarrestuar nga autoritetet turke vetëm disa orë pas lirimit nga akuzat e mëhershme. Riarrestimi i tij u bë nën dyshimin për përpjekje për ta rrëzuar qeverinë.

Një gjykatë turke dha urdhër të martën për lirimin e menjëhershëm të Kavala-s pasi i hodhi poshtë akuzat ndaj tij dhe tetë të tjerëve për një protestë të vitit 2013. Ai ishte mbajtur për më shumë se dy vjet në paraburgim.

Megjithatë, disa orë më vonë, organet turke e lëshuan një fletarrestim në lidhje me puçin e dështuar të vitit 2016, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Grupi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Amnesty International, tha se arrestimit të ri të Kavala-s i vjen era mizori e qëllimshme dhe e planifikuar.

Gjykimi i këtij aktivisti më parë kishte nxitur kritika të aleatëve perëndimorë ndaj Turqisë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vlerësoi se Kavala është arrestuar në mënyrë arbitrare dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij.