Tre anëtarë të një bande kriminale, të cilët dyshohet se kanë vrarë disa policë, janë tërhequr zvarrë nëpër rrugë nga forcat e rendit pas arrestimit dhe i janë prezantuar mediave nga autoritetet në El Salvador.
Sipas tyre, këta tre persona, mes tyre edhe një grua, janë pjesë e grupit famëkeq Barrio 18 Sureños.
Arrestimet vijnë disa ditë pasi Presidenti i vendit, Nayib Bukele, premtoi se do të ashpërsonte luftën kundër bandave të dhunshme, pas vrasjes me armë zjarri të 3 policëve ditën e martë.
“Anëtarët e bandave nuk e dinë se çfarë i pret. Ata do të paguajnë shtrenjtë vrasjen e 3 heronjve tanë”, tha Bukele në një konferencë shtypi.