“Do të kemi nevojë për alkool e ilaçe depresioni”, deklarata e kancelarit austriak për inflacionin cilësohet skandaloze

Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer është shprehur në një dalje publike se nëse vendi nuk do t’ia dalë të përballojë inflacionin dhe krizën e çmimeve, atëherë opsioni i vetëm që ngelet për qytetarët do të jetë alkooli ose ilaçet kundër depresionit.

Kjo deklaratë ka shkaktuar reagime të shumta nga qytetarët, të cilët shprehen në rrjete sociale se një deklaratë e tillë nga një politikan është e papranueshme dhe jo etike.

Këtë deklaratë Nehammer e bëri në një konferencë për rritjen e çmimeve.

“Nëse vazhdojmë kështu, ka vetëm dy mundësi pas kësaj: alkooli ose ilaçet kundër depresionit. Dhe të mendoj se alkooli në thelb është në rregull”, tha kancelari.

Në një video që qarkullon në rrjetet sociale, kancelari quajti “armiq” inflacionin dhe rritjen e çmimeve, si dhe “kosto absurde të larta të energjisë”.

Kjo është arsyeja pse ai bëri thirrje që të merren kundërmasa për ta trajtuar atë në të gjithë Bashkimin Evropian, gjë që sipas tij nuk është e lehtë.