Një avion i kompanisë “Edelweiss Air” është bllokuar sot në aeroportin e Zyrihut pasi Tirana nuk ka autorizuar uljen e fluturimit nga Zvicra, të planifikuar për orën 13:35.
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku ka denoncuar këtë rast duke shkruar në Facebook se mbi 100 shtetas shqiptarë nuk po marrin përgjigje nga konsullata shqiptare.
Por ndërkohë në këtë avion ndodhet i bllokuar edhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak i cili pritej të vizitonte Kosovën ditën e sotme dhe të qëndronte deri më 18 qershor.
Lajçak ka planifikuar të qëndrojë në Kosovë për të diskutuar kushtet dhe modalitetet e rifillimit të dialogut Kosovë – Serbi, të lehtësuar dhe Bashkimi i Evropian.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se Lajçak është i mirëseardhur nëse e kupton që Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, ndërsa kryeministri Avdullah Hoti ka konfirmuar se do ta pres në takim për t’i paraqitur qëndrimin e qeverisë rreth çështjes së dialogut.
Por mesa duket vizita e Lajçak në Kosovë mbetet “peng” i autoriteteve ajrore në Shqipëri deri sa ato të autorizojnë uljen e avionit në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Në faqen zyrtare të aeroportit fluturimi “WK 412” rezulton i anuluar.