Doktorantja e Oxford-it s’arrin të punësohet në UP, vendin ia zë gruaja e deputetit të Vetëvendosjes

Iliriana Blakaj është kandidate për doktoraturë në një nga universitetet më të mira në botë, atë të Oxfordit në Britani të Madhe, por kjo nuk ka mjaftuar që të punësohet si asistente në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Filozofik, Departamentin e Antropologjisë.

Në vend të saj, është punësuar Yllka Syla-Uka, gruaja e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, e cila ka studiuar në Universitetin e Tiranës, një nga universitetet më të dobëta në botë. Në ranglistat që listojnë universitetet nëpër botë, Universiteti i Tiranës është i 3 mijë e 786-ti me radhë. Për ta kuptuar sa keq është kjo, Universiteti i Prishtinës është 759 vende më lartë.

Pozita e hapur për asistente si bashkëpunëtore e jashtme, ishte për lëndët “Studimet e familjes në perspektivën krahasuese”, “Antropologji e gjinisë”, “Migrimi dhe siguria sociale”, “Antropologji urbane”, “Antropologji e ushqimit”, “Veshjet dhe identiteti”.

Grada shkencore e Yllka Syla-Uka, ndryshe nga Iliriana Blakaj që është kandidate për doktoraturë në Oxford – është master i arteve.

Komisioni Vlerësues që ka bërë përzgjedhjen e kandidatëve përbëhej nga profesorët Tahir Latifi e Arsim Canolli dhe asistenti Durim Abdullahu.

Sipas dokumenteve të publikuara, dy kandidatet Ilirjana Blakaj dhe Yllka Syla-Uka, çuditërisht ishin vlerësuar si kandidate të barabarta.

Më pas, sipas rregullores, “kur ka më shumë se një kandidat që për pozitën përkatës i plotëson kriteret, përzgjedhja bëhet: kandidati më përvojën më të gjatë në fushën përkatëse”.

Edhe në këtë pikë Blakaj plotësonte kushtin meqë ajo vazhdon studimet në doktoraturë, derisa Syla-Uka është vetëm me Master.

Përkundër kësaj, komisioni kishte vendosur t’ia jap pozitën gruas së deputetit Uka, i cili gjithashtu është i angazhuar si ligjërues në UP.

Një nga anëtarët e komisionit vlerësues, Arsim Canolli, kishte argumentuar, duke u bazuar në rregullore, se pozita i takon Blakajt, madje kishte bërë një argumentim të gjatë me shkrim.

“Duke vlerësuar përvojën më të gjatë në fushën përkatëse, që për mua është fusha e antropologjisë, jo mësimdhënia, mendoj se kandidatja Iliriana Blakaj, ka afër tetë vjet përvojë në kuadër të kohës së projekteve të realizuara, ndërsa kandidatja Yllka Syla-Uka ka vetëm katër vjetër përvojë në fushën përkatëse”, shkruan Canolli në arsyetim.

“Unë propozoj kandidaten Ilirana Blakaj për bashkëpunëtore të jashtme për ushtrimet në lëndët e shpallura me konkurs për pozitën 17”.

Përkundër ankesës së detajuar të Canollit, vendimi i datës 7 korrik 2022 doli me emrin e gruas së Fitim Ukës si e angazhuar nga Universiteti i Prishtinës.

Blakaj, pasi ka parë vendimin për mos pranim, pakënaqësitë i ka adresuar në llogarinë e saj në Facebook.

“Dua të qartësoj se lufta nuk është assesi personale dhe realisht nuk kam asgjë kundër askujt në këtë proces. Kauza që duhet ta ngjallim duhet të jetë kundër sistemit të instaluar në UP, kundër burokracive të tilla, kundër rregulloreve të tilla që qëllimisht nuk lejojnë që Universiteti jonë të pasurohet me staf që mund të kontribuoj në shkencë e në edukimin e gjeneratave të reja. Kjo kauzë është për ndryshimin e sistemit arsimor në Kosovë. Është për Universitetin tonë”, ka shkruar pos tjerash Blakaj.