Pas fitores së shkëlqyeshme kundër tajlandezes, Thananya Somnuek, boksierja jonë Donjeta Sadiku ka folur pas triumfit të parë në Paris 2024.
Ajo në një intervistë për RTK-në ka folur për meçin, por edhe synimin e saj për të fituar medalje në Olimpiadë.
“Është një ndjenjë e mrekullueshme. Unë së bashku me trajneren time kemi punuar shumë gjatë për këto ditë. Shpresoj që të më prij fati edhe në meçet e tjera. Synimi im si gjithmonë qysh e kam thënë është medalja. Kam ardhur këtu për të luftuar vetëm për medalje”, ka theksuar Donjeta në intervistë për RTK-në menjëherë pas meçit me gazetarin Arben Berisha në Paris.
Ajo tutje ka folur edhe për meçin e sotëm. “Ka qenë një kundërshtarte shumë e vështirë. Jam ndeshur edhe më herët me të, por së bashku me trajneren e kemi analizuar dhe ashtu siç e kemi analizuar dhe kemi punuar ashtu na rezultoi me sukses”, ka thënë Donjeta.
Ajo tutje përsëriti vendosmërinë e saj për sukses në këtë Olimpiadë, pasi tri vjet më parë në Tokio ishte eliminuar në meçin e parë.
“Siç e thash, kam ardhur me synim shumë të qartë këtu. Normalisht se meçi i parë ka qenë më i komplikuar, mirëpo shpresoj se edhe meçet tjera t’i kaloj sikur ky”, shtoi ajo.