Dreçun: Dërgimi i FSK-së në Veri është qëllimi i Kurtit, ka mbështetjen e Perëndimit

Kryetari i të ashtuquajturit “Komision për Kosovën” në parlamentin e Serbisë, Milovan Dreçun, pas situatës së tensionuar në pjesën veriore të Kosovës, ka vlerësuar se qëllimi i kryeministrit të Albin Kurti, është dërgimi i Forcës së Sigurisë në veri të vendit.

Mendja propaganduese e Dreçun’it e çon atë drejt konspiracioneve, rreth mundësisë së një operacioni, në të cilin sipas tij, shqiptarët do të vepronin me ndihmën e disa shërbimeve perëndimore dhe do të kryenin një sulm ndaj Njësive Speciale të Policisë në Veri apo ndaj forcave ndërkombëtare prezente atje e pastaj Serbia të akuzohej për këtë.

“Ky do të ishte një justifikim që Kurti të shtojë dhe të vendosë përgjithmonë një numër të madh të Forcave Speciale në Veri, si dhe të dërgojë pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës atje”, tha Dreçun për mediumin serb “Kosovo-Online”.

“Më duket se ky është qëllimi i tij kryesor në shkaktimin e incidenteve – të prezantohet se ekziston rrezik i madh nga gjoja paraushtarakët, formacionet serbe dhe të merret miratimi për t’u marrë me ta dhe FSK do të shtojë arsyetimin se nuk ka burime të mjaftueshme në veri”, thotë Dreçun.

Ai shtoi se kryeministri Kurti dëshiron të përhapë një “imazh të gabuar” në media se si protesta e serbëve nuk është paqësore.

“Aspirata e tij është të portretizojë serbët si banditë dhe se ata janë një lloj bandash serbe dhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës që dhanë dorëheqje, në mënyrë që të krijojë një histori se ka formacione paralele të serbëve në veri”.

Gjithashtu, duke folur për dhunën e serbëve ndaj autoriteteve të Kosovës ditëve të fundit, vlerësoi se edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë iu bashkuan “fushatës së planifikuar të Kurtit”.

“Ata thanë ‘ne e dënojmë dhunën’, por praktikisht përgjegjësia u kalon serbëve. Është një fushatë e planifikuar dhe Kurti nuk do të heqë dorë prej saj dhe do të ketë mbështetjen e fshehtë të Perëndimit. Ai vazhdimisht do të mbajë dhe do të rrisë tensionet nëse Beogradi nuk e pranon propozimin evropian për zgjidhjen e problemit të Kosovës”.

Ndryshe, Policia e Kosovës, ditëve të fundit, ka shtuar prezencën e saj në këtë zonë ndërsa pjesëtarë të Policisë kanë filluar patrollimin në këmbë.

Megjithatë, njësitet policore gjatë patrullimit kanë hasur në rezistencë të grupeve të ndryshme të armatosura dhe të maskuara. Si pasojë e kësaj një polic i Kosovës gjatë patrullimit në Veri është plagosur.

Rritja e forcave policore atje, ka ardhur pas rastit në zyrat e anëtarëve komunalë zgjedhorë, pasi përkundër se në përcjellje të policisë ata nuk u lejuan të futen në vendet e tyre të punës.

Në anën tjetër komuniteti ndërkombëtar, më saktësisht Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ambasadori amerikan dhe ai gjerman në Kosovë, kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve në Veri.