Rusia vijon të provokojë NATO-n në Mesdhe. Dy anije të tjera të flotës së saj po drejtohen për në ujërat që lagin dhe brigjet e Shqipërisë. Njëra është furnizuesi “Akademik Pashin”, një anije cisternë e paarmatosur, e cila në të kaluarën ka kryer misione spiunazhi, e fotografuar të hënën pranë qytetit Dover në Britani të Madhe.
Mjeti tjetër lundrues është një njësi ushtarake që lundron pa transmetues pozicioni dhe nuk është identifikuar. Raportimi vjen nga media e njohur italiane “La Repubblica” që shkruan se përgjatë viteve të kaluara “Akademik Pashin” është shoqëruar shpesh nga kryqëzori me fuqi bërthamore, “Pjetri i Madh”, një kolos sovjetik i mbushur me raketa.
Mjeti lundrues i gjatë 250 metra, 3 ditë më parë ka lënë portin Severomorst, në portat e Arktikut. Aviacioni britanik dërgoi një avion për të vëzhguar lëvizjet, duke nxitur një reagim të avionëve luftarakë ruse që e detyruan të largohej nga qiejt e bazës.
Sajti i specializuar për lundrimet “Covert Shores” që identifikoi anijen cisternë dhe shoqëruesin e saj misterioz në kanalin mes Britanisë dhe Francës, shpjegon se ata po I drejtohen ngushticës së Gjibraltarit në ditët e ardhshme.
“La Repubblica” shkruan se me shumë gjasa do të zëvendësojnë luftanijen tjetër ruse “Marshallin Ustinov” të Flotës së Veriut, e cila prej 8 muajsh patrullon ujërat mes Sirisë dhe Sicilisë. Kështu Mesdheu prej muajsh është shndërruar në një front të dytë të luftës në Ukrainë, ku ushtarët rusë dhe ata të aleancës ushtarake NATO përballen në një distancë të afërt.
Moska ka grumbulluar një flotë të paprecedentë, jo shumë larg Shqipërisë, me dy luftanije, disa avionë lufte, dy fregata, një anije të vogël lufte, të paktën 2 nëndetëse dhe 3 anije spiune.