80-vjeçari Xhevit Sinani, i cili dyshohet që të ketë vrarë të shoqen dhe të vëllanë me sëpatë, ka mohuar akuzat.
Mësohet se përpara trupës gjykuese, i moshuari është shprehur se nuk ka vrarë njeri. Përkundrazi, sipas tyre, ata janë “vrarë vetë.”
“Vëllai kishte përdorur një ilaç në vesh, me pas kishte dale në oborr dhe ishte rrezuar, ishte vrarë. E mbulova vëllanë dhe ika te gruaja. Edhe gruaja ishte e vrarë,” mësohet të jetë shprehur 80-vjeçari.
I pyetur nëse ai vetë ka vrarë njeri, Sinani ka thënë: “Jo s’kam vrarë njeri”.
Kujtojmë se Xhevit Sinanit iu caktua mëngjesin e së hënës masa e sigurisë “arrest me burg” nga Gjykata e Elbasanit.
Disa ditë më parë, ai dyshohet që t’i ketë marrë jetën bashkëshortes dhe vëllait të tij pasi i sulmoi me sëpatë. Për pasojë, bashkëshortja Zeqine, rreth 74 vjeçe dhe i vëllai i autorit të dyshuar Shaqiri, 73 vjeç humbën jetën.
Sipas policisë, fillimisht i moshuari goditi të shoqen me sëpatë për motive të dobëta dhe më pas të vëllanë që ndodhej rreth 1 kilometër larg nga banesa e tyre në një fshat në Gramsh.
Nga pamjet e siguruara nga seanca ku do të mbahet gjyqi, Xhevit Sinani duket i qetë dhe i kthjellët.