Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë fushatës zgjedhore në Mitrovicë, e pati vlerësuar kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, si akademik, krahasuar me kundërkandidatët e tij.
Konjufca ka thënë se ende mendon se Bahtiri është akademik, por këtë herë është specifikuar duke thënë se e ka pasur fjalën për njohuritë që ka për zgjidhjen e problemeve të kanalizimit dhe ujësjellësit.
“Akademik i kanalizimeve dhe ujësjellësve, për besë mendoj që është. Kam thënë akademik i çështjeve komunale, tash komuna shtron kanalizim , shtron rrugë, trotuare, e bën një park. Unë mendoj për ato çështje, nuk e ndërroj mendimin”, tha Konjufca.
Kur u pyet se ndihet keq për humbjen e Bahtirit në Mitrocivë, Konjufca tha se “më vjen keq për secilin kandidat të VV-së që ka humbur”.
“Unë ndjej keqardhje për çdo kandidat të VV-së që ka humbur, Edhe për atë, për shkak të rrjedhjes logjike që edhe ai ishte i VV-së”, tha Konjufca në Klan Kosova.