E futën në operim emergjent, gruaja kosovare del të jetë e infektuar me coronavirus

Një paciente është referuar dje nga Spitali i Pejës për në Klinikën e Kirurgjisë së Përgjithshme Abdominale në QKUK pasi kishte qëndruar atje për 2 ditë. Pacientja u pranua dje në orët e hershme të mëngjesit në Kirurgji dhe u kontrollua nga mjekët kujdestarë.

Ndërkaq pasi erdhi ekipa tjetër pasdite, pacienten e bënë gati dhe e futën në sallë për operacion urgjent. Por mjekët, e madje as vet pacientja, nuk ishin në dijeni se ajo ishte prekur nga koronavirusi. Kjo gjë u konfirmua tek pasi u krye operacioni dhe iu dërgua strishoja në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.

Për këtë rast është njoftuar edhe menaxhmenti i SHSKUK-së si dhe Instituti Kombëtar nga ku janë kërkuar rekomandime se çfarë duhet të veprojnë stafi mjekësor që kanë pasur kontakt me pacienten, shkruan Gazeta Shneta.

“Ju konfirmojmë se një rast kirurgjik i transferuar nga Spitali i Pejës është punuar si rast urgjent ne emergjencë nga kirurgët abdominal dhe ekipi anestezionit. I njëjti rast pasi i është bërë analiza për Covid-19, ka rezultuar pozitiv. Jemi në pritje të raporteve zyrtare, mesa kemi informatat e para, stafi ka punuar me masa mbrojtëse. Jemi në konsultim me Institutin dhe instancat tjera relevante për hapat e mëtejmë. Poashtu, kemi informuar institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe presim te koordinohemi rreth hapave të mëtejme”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Gazeta ka mësuar jozyrtarisht se tani pacientja gjendet në mjekimin intensiv në Klinikën Infektive dhe është në gjendje të rëndë.

Ndërkaq drejtori i Klinikës së Kirurgjisë së Përgjithshme Abdominale Dr. Ferat Sallahu, ka deklaruar se dy infermiere të cilat e kanë pranuar pacienten në mëngjesin e dielës, tashmë janë vetizoluar në klinikë nga frika se mund t’ua çojnë virusin familjeve të tyre.

Ndërkaq nga Spitali i Pejës drejtori Dr. Skender Dreshaj ka konfirmuar se dy teknik poashtu janë vetizoluar pasi gjatë qëndrimit të pacientes kanë pasur kontakt për disa momente të pa mbrojtur. “Gjatë qëndrimit të pacientes në spital, në një moment ajo ka pasur një nevojë emergjente dhe teknikët kanë qenë duke ngrënë bukë dhe pa i vendosur maskat kanë pasur kontakt me pacienten. Për këtë arsye ata janë vendosur në vetizolim, ndërsa stafi tjetër vazhdon punën normalisht për shkak se nuk kanë qenë të rrezikuar”, ka deklaruar Dreshaj.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme Instituti Kombëtar ka njoftuar për 79 raste të reja me koronavirus duke çuar numrin total në Kosovë në 362.