Presidenti Recep Tayyip Erdogan, me ftesë të Emirit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamed Al Sani, ka udhëtuar për në kryeqytetin Doha për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Kampionatit Botëror Qatar 2022.
Duke marrë pjesë në pritjen që Al Sani u bëri drejtuesve në stadiumin Al Bayt, Erdogan u takua me disa nga drejtuesit botërorë.
Por çfarë ka rënë në sy është fakti se ai ka pasur një shtrëngim duarsh edhe me presidentin e Egjiptit, Abdelfattah Al-Sisi.
Në përshkrimin e një fotografie që tregon shtrëngimin e duarve nga dy liderët, gazetari turk Ragip Soylu ka shkruar: “Erdogan takoi për herë të parë presidentin egjiptian Sisi. Emiri i Katarit duket se ka organizuar një përshëndetje të shkurtër në Doha”.
Ndryshe, Egjipti dhe Turqia janë tradicionalisht aleatë.
Por marrëdhëniet kanë qenë “të ngrira” që kur presidenti egjiptian Mohamed Morsi u rrëzua në një grusht shteti ushtarak të udhëhequr nga presidenti aktual Abdel Fattah el-Sisi në vitin 2013, kur të dy vendet tërhoqën ambasadorët e tyre.
Morsi ishte një aleat i ngushtë i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili kritikoi publikisht shtypjen kundër mbështetësve të Vëllazërisë Myslimane të liderit të rrëzuar egjiptian.
Madje në një deklaratë në shkurt të vitit 2019, presidenti turk e kishte kritikuar ashpër homologun e tij egjiptian Abdel Fattah el-Sisi pas ekzekutimit të nëntë personave në Egjipt, duke thënë se ai refuzoi të fliste me “dikë si ai”.
“Tani, unë po u përgjigjem atyre që pyesin pse Tajip Erdogan nuk flet me Sisin, sepse ka ndërmjetës që vijnë ndonjëherë këtu, por unë kurrë nuk do të flas me dikë si ai”, kishte thënë Erdogan.
Dhe arsyeja e një refuzimi të tillë, siç shkruante Daily Sabah, ishte fakti se në po të njëjtën tryezë gjendej edhe Abdelfettah el-Sissi.
“Sisi është një tiran, jo një demokrat”, kishte thënë në atë kohë Erdogan, shkruante Daily Sabah.
“Ne nuk do të lejojmë që vdekja e Morsit të harrohet ashtu siç nuk kemi lejuar që vdekja e të ndjerit Jamal Khashoggi të harrohet”, kishte shtuar presidenti turk duke shtuar se Turqia do të përdorë gjithashtu çdo burim të disponueshëm brenda kufijve të ligjit ndërkombëtar për të hedhur dritë mbi vdekjen e Morsit.
Sipas familjes së tij, Morsi kishte diabet dhe sëmundje të veshkave dhe nuk i ishte ofruar trajtimi i duhur mjekësor.
Amnesty International dhe grupe të tjera të të drejtave kishin bërë thirrje për një hetim të drejtë, transparent dhe gjithëpërfshirës për vdekjen e Morsit dhe kanë ngritur pikëpyetje rreth trajtimit të tij në burg.
E Qeveria e Egjiptit kishte hedhur poshtë akuzat se ai ishte trajtuar keq.
Dhe Agjencia e Lajmeve të Katarit e përshkroi vizitën si një “epokë të re në marrëdhëniet” midis dy vendeve arabe.
Udhëheqës politikë botërorë, politikanë, diplomatë dhe anëtarët e familjeve mbretërore kanë filluar të mbërrijnë në Katar përpara fillimit të Kupës së Botës të dielën.
Ndërkohë mediat turke raportojnë se president turk do të jetë spektator i ndeshjes së parë të Botërorit midis Katarit dhe Ekuadorit. /