Zyrtarët rusë kanë konfirmuar se zëvendëskomandanti i flotës ruse të Detit të Zi, kapiteni i rangut të parë Andrei Paly u vra në luftimet në Mariupol.
Vdekja e Paly u konfirmua fillimisht nga sekretari i kolegjit detar Nakhimov, Konstantin Tsarenko, në rrjetin social Vkontakte (VK), raporton gazeta ruse Kommersant.
Më vonë, një senator rus nga Sevastopol – baza e Flotës së Detit të Zi në Krimenë e aneksuar nga Rusia konfirmoi vdekjen e Paly në një postim në VK.
Burimet ukrainase kanë raportuar për vdekjen e pesë gjeneralëve rusë në luftimet që shpërthyen me pushtimin e Rusisë më 24 shkurt. Rusia ka konfirmuar zyrtarisht vetëm një nga këto viktima – gjeneralin Andrei Sukhovetsky.
Luftimet e ashpra po vazhdojnë në Mariupol, një qytet port ndër më të goditurit nga granatimet dhe raketat ruse, raporton BBC.