Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Rusisë, Maria Zaharova ka thënë se Moska zyrtare dënon verdiktin e Prishtinës ndaj ish-ministrit serb, Ivan Todosijevic, i cili u arrestua për shkak të mënyrës se ai e cilësoi Masakrën e Reçakut trillim, transmeton Gazeta Metro.
Siç raportojnë mediet serbe, sipas Zaharovas, aktgjykimi ndaj Todosijevic është një tjetër provë e shtypjes anti-serbe e zbatuar në mënyrë sistematike nga autoritetet e Kosovës.
‘Ne e dënojmë aktgjykimin e Prishtinës kundër ministrit të Listës Serbe, Todosijevic, sepse ai foli për natyrën e falsifikuar të ngjarjeve në fshatin Reçak’, tha Zaharova.
Zaharova tutje shton se autoritetet e Prishtinës vazhdojnë të insistojnë në versionin e tyre për këtë ngjarje, por edhe të merren me kundërshtarët politikë, serbët lokalë.
Todosijevic u dënua me dy vjet burg për veprën penale ‘Nxitje ndaj kombit, racës, religjionit,urrejtjes dhe intolerancës’, duke i quajtur shqiptarët terroristë dhe se Masakra e Reçakut është vetëm një trillim.
Edhe gjatë asaj kohe shkarkimi i ministrit serb nga Haradinaj kishte bërë bujë të madhe në mediet serbe, të cilat raportonin me spekulimet se kjo ishte një padrejtësi.
Kujtojmë se ditë më parë, një gjë të tillë e thanë edhe liderët serbë, presidenti Aleksandar Vucic dhe përgjegjësi për të ashtuquajturën Zyre për Kosovën, Marko Djuric, të cilët e mohuan ngjarjen e Reçakut ku u masakruan 45 persona nga forcat serbe.