Durrësi po përjeton një eksod të masiv. Të gjithë po largohen prej tij, të rritur, të moshuar dhe fëmijë, të pasigurt për jetën në banesat e tyre.
Durrsakët thonë se në mënyrë abuzive çmimet e fluturimeve jashtë vendit janë rritur. Ndërkohë, makinat krijojnë radhë masive për në Rinas dhe në hyrje të kryeqytetit. Dëshira për t’u larguar është aq e madhe sa çon deri në rrezikim të jetës.
“Po kërkojmë për një grua që ndodhet aty. Nuk jemi të sigurt, por nga lista e policisë rezulton një grua e humbur që jetonte në katet para. Kati i parë dhe i dytë janë bashkuar, na u desh t’i presim dhe krijojmë një tunel për të nxjerrë njerëzit. Nuk e kemi prioritet që të ndihmojmë disa presona të marrin sendet e tyre. Prioriteti ynë është t’i nxjerrim njerëzit gjallë. Nuk duam që ushtarët tanë të dëmtohen, ndërsa po marrin sendet e njerëzve”, u shpreh një pjesëtare e ekipit francez.
Zonjën nën rrënoja jashtë gardhit të sigurisë të zjarrfikësve ushtarakë francezë po e pret ende me shpresë e motra.
Por tragjedia në pallatin 6-katësh në afërsi të shkollës “Vasil Ziu”, ku humben jetën dhe fëmijë, mund të kishte qenë më e madhe. Banorët fajësojnë pronarin e lokalit në katin parë se ndërhyri në strukturën e pallatit dhe shkaktuar tragjedinë. Por ndërkohë me Durrësin e boshatisur, strukturat shtetërore ende nuk kanë një bilanc dëmesh as të dhëna të sakta sesa prej ndërtesave janë të rrezikshme për t’u jetuar. Bilanc nuk ka as për tërmetin e 21 shtatorit.