Avokatët kanë akuzuar Shqipërinë se ka thyer ligjet e veta për dorëzimin e Ahmet Emre Olur – një farë zëdhënësi për mediat i bosit të arratisur të mafies turke Sedat Peker – pa marrë në konsideratë kërkesën e tij për azil politik.
Avokatët e Ahmet Emre Olur, zëdhënësi i medias së liderit të mafias turke në mërgim, Sedat Peker, thanë se ekstradimi i tij i shpejtë nga Shqipëria në Turqi shkel ligjin shqiptar dhe injoroi të drejtën e tij për të kërkuar azil politik.
Avokati Arben Llangozi tha për BIRN se Shqipëria kishte shkelur ligjin e saj të azilit duke mos e intervistuar në prani të një avokati dhe përkthyesi dhe duke e dërguar me shpejtësi në Turqi.
“Ekziston një detyrim ligjor për të intervistuar dikë që kërkon azil politik përmes një përkthyesi dhe avokati. Në rastin konkret, kërkesa për [azil] nuk u administrua” tha Llangozi për BIRN. Avokatët e Olur u përpoqën të bënin një kërkesë për azil politik në Shqipëri.
Disa media turke kanë raportuar se Olur është një shtetas shqiptar, por sipas dokumenteve që ka parë BIRN, ai ka një pasaportë turke, e vlefshme deri në vitin 2027.
Llangozi shtoi se një kërkesë për azil është bërë pranë Ministrisë së Brendshme shqiptare, Ministrisë së Drejtësisë, Policisë së Përgjithshme dhe Kufitare dhe Policisë së Migracionit.
Policia e Shtetit nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për të sqaruar hapat që kishte ndjekur policia në procesin e ekstradimit.
Ligji shqiptar për azilin thotë se të gjitha kërkesat duhet të trajtohen dhe vlerësohen. Ai gjithashtu thotë se kur individët përpiqen t’i shmangen drejtësisë, kërkesat nuk pranohen.
Zyra e Avokatit të Popullit tha se kishte “filluar një hetim administrativ dhe po shqyrton dokumentacionin”.
Kërkesa që BIRN ka parë thoshte se arsyeja e deklaruar e kërkesës për azil politik në Shqipëri, ishte se dëbimi do të rrezikonte jetën e tij dhe se ai ndihej i diskriminuar në Turqi për shkak të bindjeve të tij politike.
Sipas avokatit Llangozi, “Perparim Dema [kreu i policisë në Aeroportin e Tiranës] ka mbyllur dyert dhe nuk e ka lejuar të dorëzohet”, duke shtuar se për këtë e kishin paditur.
Ministria e Brendshme turke tha të dielën se, më 16 shtator, pasi inteligjenca turke, MIT dhe Ambasada e Abu-Dhabi informuan policinë turke se Olur do të deportohej nga Emiratet e Bashkuara Arabe, u konstatua se ai do të shkonte në Serbi.
“Megjithatë, autoritetet serbe nuk mundën t’i përgjigjen pozitivisht kërkesës sonë për dëbim, pasi ai ishte pasagjer ndërkombëtar. Personi, i cili u konstatua se do të shkonte nga Serbia në Tiranë, u arrestua nga policia shqiptare më 17 shtator në aeroportin e Tiranës”, thuhet në njoftim.
Pas ekstradimit të tij të shpejtë, avokati i Pekerit, Ersan Barkın, i tha të përditshmes turke Cumhuriyet se ekstradimi i Olur ishte ligjërisht i dyshimtë.
“Oluri akuzohet për pjesëmarrje në një organizatë kriminale. Aktualisht nga dosja Sedat Peker nuk ka persona të arrestuar. Prandaj, në një dosje ku nuk ka asnjë të arrestuar, kjo akuzë është një akuzë e pabazë”, tha Barkın. Ai shtoi se “njoftimi i kuq” për arrestimin e Olur ishte gjithashtu i pabazë ligjërisht.
Kreu i dënuar i grupit të krimit iku nga Turqia në vitin 2020 dhe tani jeton në Emiratet e Bashkuara Arabe pas një qëndrimi një vjeçar në Mal të Zi.
Ai bëri një sërë akuzash korrupsioni kundër anëtarëve të lartë të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të Presidentit Recep Tayyip Erdogan, AKP, burokratëve të lartë, biznesmenëve dhe gazetarëve.
Peker postoi më parë disa video në YouTube rreth aktiviteteve të supozuara të paligjshme të politikanëve, njerëzve të biznesit, gazetarëve dhe individëve të tjerë të afërt me Presidentin Erdogan dhe AKP.
Megjithatë, ai më vonë ndaloi videot e tij dhe gjithashtu ndaloi përdorimin e llogarisë së tij në Twitter pasi tha se zyrtarët e Emirateve i thanë që të përmbahej nga postimi i videove për arsye sigurie.
Peker tani ndan mesazhe nga llogari të tjera që thuhet se i përkasin atij ose njerëzve të afërt me të, duke përfshirë llogarinë e Olur në Twitter.
Që nga një përpjekje e dështuar për grusht shteti në vitin 2016, Turqia ka ushtruar presionin ndaj shteteve të Ballkanit për të ekstraduar kritikët e Erdoganit. Deri më tani, shumica e vendeve të Ballkanit i rezistuan presionit. Shqipëria dorëzoi disa shtetas turq në një formë të diskutueshme, duke përfshirë aty të ashtuquajturit “gylenistë” besnikë të predikuesit të mërguar Fethullah Gulen dhe të arratisur të tjerë./Marrë nga Balkaninsight