Sociologu Artan Krasniqi ka thënë se pas luftës në Kosovë shihet një përpjekje për t’u kthyer tek emrat fetarë kur bëhet fjalë për emërtimin e fëmijëve.
Krasniqi ka thënë të martën në “Sot” të KTV-së se shumë prindër në ditët e sotme mundohen të gjejnë një emër fetar për fëmijët e tyre e që tingëllon mirë për veshin.
“Pas luftës që gjithmonë merret prej ne sociologëve si një pikë kthese, ndodh prapë transformimi i vendosjes së emrave te fëmijët. Ka një përpjekje për t’u kthyer tek emrat fetarë. Fakti tjetër është që për shembull emri Fatime te vajzat dhe Bajram te djemtë vazhdojnë të jenë emrat më të hapur në shoqërinë tonë”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, ndryshimet në emërtime kanë nisur qysh në vitet e ‘70-ta, kur është hapur Universiteti i Prishtinës, të cilët siç ka thënë, prej emrave myslimanë u transferuan në emra shqip. Krasniqi ka thënë se kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të nevojave të shoqërisë.
“Ndryshimet në mënyrën apo formën e emërimit të njerëzve në Kosovë kanë nisur në vitet e ‘70-ta kur për herë të parë hapet Universiteti i Prishtinës në atë kohë. Transformimet prej emrave osmanë me shumicën myslimane dhe shqiptarët nisin të transferohen në emra shqip dhe në emra që e përshkruajnë njëfarë nevojë të shoqërisë. Gjatë viteve ’80-ta kemi emra që e përshkruajnë realitetin social të Kosovës, si emrat Lirie, Atdhe, Patriot, Demokrat”, është shprehur ai.
Krasniqi ka shtuar se njerëzit duhet të jenë të lirë të vendosin emrat për fëmijët e tyre, përveç nëse bëhet fjalë për tendencën për bullizim.
“Njerëzit duhet të jenë të lirë për t’i vendosur emrat derisa ai nuk përbën një tendencë për bullizim apo diçka tjetër pasi ju e dini që edhe në Kosovë si në shumë vende të tjera në botë ka një listë të emrave të cilët janë të ndaluar. Ekziston edhe në Kosovë një listë e tillë, nuk e di saktë cilët emra janë të ndaluar, Dëshpërime për shembull”, ka thënë Krasniqi.