Emigrantët/ Anglia sytë nga Shqipëria? Kryeministri britanik: I hapur për dërgimin e azilkërkuesve, dua të shoh si funksionon marrëveshja me Italinë

Kryeministri britanik Keir Starmer është vendosur në qendër të mediave britanike, pas një komenti që ka bërë lidhur me marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për strehimin e emigrantëve. Ndërsa është pyetur nga gazetarët mbi këtë marrëveshje, Starmer thotë se është i hapur për dërgimin e azilkërkuesve në Shqipëri.

Ai do të mbajë një minisamit me kryeministren e Italisë Giorgia Meloni. Kryeministri britanik u tha gazetarëve që udhëtonin me të në Uashington DC përpara se të fluturonte për në Romë se është i interesuar të shohë se si funksionon marrëveshja e Italisë me Shqipërinë.

“Le të shikojmë. Unë jam i interesuar për mënyrën si funksionon. Mendoj se edhe të gjithë të tjerët këtë po bëjnë”, -ka deklaruar kryeministri Keir Starmer.

“Starmer i hapur për dërgimin e azilkërkuesve në Shqipëri si skema italiane”, ky është titulli i ‘The Independent’.

Ndërkohë, ‘The Telegraph‘ e ka titulluar artikullin: ”Starmer hap derën për skemën e emigracionit në Shqipëri për të zëvendësuar Ruandën”.

Brenda disa ditësh pas marrjes së pushtetit në korrik, Sir Keir anuloi marrëveshjen e Mbretërisë së Bashkuar për dërgimin e emigrantëve në Ruanda. Por ai tani duket i hapur ndaj skemave të ngjashme me vende të tjera.