Përderisa një pjesë e madhe e Evropës vendosi kufizime të rrepta në jetën publike muajin e kaluar për ta luftuar përhapjen e koronavirusit, një shtet qëndroi anash.
Suedia nuk u fut në karantinë dhe nuk vendosi politika të ashpra për distancim social. Në vend të kësaj, ajo mori masa vullnetare, të bazuara në besim. I këshilloi të vjetrit që ta shmangin kontaktin social dhe rekomandoi që njerëzit të punojnë nga shtëpia, t’i pastrojnë duart rregullisht dhe ta shmangin udhëtimin për qëllime jothelbësore. Megjithatë, kufijtë dhe shkollat për nxënësit nën moshën 16-vjeçare mbesin të hapura, njësoj si shumë biznese, përfshirë restorantet dhe kafenetë.
Kjo qasje është përballur me kritika të ashpra. Në mesin e tyre janë edhe 22 shkencëtarë të profilit të lartë, që javën e kaluar e publikuan një letër në gazetën suedeze “Dagens Nyheter”. Në të thuhej se autoritetet e shëndetit publik kanë dështuar dhe kërkuan nga politikanët që të ndërhyjnë me masa më të rrepta. Ata e vunë në pah numrin e madh të vdekjeve nga koronavirusi në shtëpitë e të moshuarve dhe shkallën e përgjithshme të vdekshmërisë në Suedi, e cila është më e lartë se në vendet fqinje – 131 të vdekur për një milion banorë, në krahasim me 55 të vdekur për një milion banorë në Danimarkë dhe 14 të vdekur për një milion banorë në Finlandë, shtete që kanë vendosur masa izoluese.
Arkitekti i kësaj strategjie është Anders Tegnell, epidemiolog në Agjencinë e Shëndetit Publik në Suedi, organ i pavarur, rekomandimet e të cilit zbatohen nga qeveria. Tegnell-i foli për revistën “Nature” rreth kësaj qasjeje.
A mund ta shpjegoni qasjen e Suedisë për kontrollimin e koronavirusit?
Mendoj se është ekzagjeruar fakti se sa unike është kjo qasje. Njësoj si në shumë vende të tjera, ne synojmë ta rrafshojmë lakoren e rasteve – duke e ngadalësuar përhapjen sa më shumë që është e mundshme – përndryshe, sistemi i kujdesit shëndetësor dhe shoqëria janë në rrezik nga kolapsi.
Kjo nuk është një sëmundje që mund të ndalet ose të çrrënjoset, të paktën jo përderisa të prodhohet një vaksinë. Ne duhet të gjejmë zgjidhje afatgjate që e mbajnë numrin e infektimeve në nivel të pranueshëm. Ajo që secili shtet është duke u përpjekur të bëjë është që t’i mbajë njerëzit larg njëri-tjetrit, duke i përdorur masat që ne i kemi dhe traditën që ne e kemi për t’i zbatuar ato masa. Për këtë arsye, ne përfunduam duke bërë gjëra pak më të ndryshme.
Ligjet suedeze për sëmundjet ngjitëse janë kryesisht të bazuara në masa vullnetare – në përgjegjësi individuale. Aty theksohet qartazi se qytetari e ka përgjegjësinë për të mos e përhapur një sëmundje. Kjo është bërthama prej së cilës kemi filluar, sepse nuk ka shumë përgjegjësi ligjore për t’i mbyllur qytetet në Suedi duke i përdorur ligjet e tanishme. Karantina mund të merret në shqyrtim për numër të vogël të njerëzve ose zona të vogla, siç janë shkollat ose hotelet. Por ligjërisht, ne nuk mund të vendosim në izolim një zonë gjeografike.
Në çfarë dëshmi është mbështetur kjo qasje?
Është vështirë të flitet për bazën shkencore të një strategjie me këtë lloj të sëmundjes, sepse ne nuk dimë shumë për të dhe po mësojmë përderisa po veprojmë, ditë për ditë. Izolimi, karantina, mbyllja e kufijve – asgjë nuk ka bazë shkencore historike, sipas mendimit tim. I kemi shikuar disa shtete të Bashkimit Evropian për të parë nëse ato kanë publikuar ndonjë analizë të efekteve të këtyre masave para se ato të merreshin dhe nuk kemi parë pothuajse asnjë.
Sipas mendimit tim, mbyllja e kufijve është qesharake, sepse Covid-19 është në secilin shtet evropian tashmë. Ne kemi më shumë shqetësime për lëvizjet brenda Suedisë.
Si shoqëri, ne më shumë jemi të dhënë pas nxitjeve, duke ua kujtuar vazhdimisht njerëzve përdorimin e masave, përmirësimin e masave, ku ditë pas dite shohim se ato duhet të rregullohen. Ne nuk kemi nevojë të mbyllim gjithçka, sepse kjo do të kishte efekt të kundërt.
Si i merr vendimet Agjencia Suedeze e Shëndetit Publik?
Rreth 15 persona të agjencisë takohen çdo mëngjes dhe i përditësojnë vendimet dhe rekomandimet duke u mbështetur në mbledhjen e të dhënave dhe në analiza. Ne bisedojmë me autoritetet rajonale dy herë në javë.
Debati i madh me të cilin po përballemi tash për tash është rreth shtëpive të kujdesit për personat e moshuar, ku kemi regjistruar përhapje shumë fatkeqe të koronavirusit. Kjo vlen për shkallën më të lartë të vdekjeve në Suedi, në krahasim me fqinjët tanë. Hulumtimet janë duke vazhduar, sepse ne duhet të kuptojmë se cilat rekomandime nuk janë ndjekur dhe pse.
Qasja është kritikuar se është shumë e lirshme. Si përgjigjeni ju ndaj këtyre kritikave? A mendoni se kjo qasje e rrezikon jetën e njerëzve më shumë sesa që është e nevojshme?
Unë nuk besoj se ekziston ky rrezik. Agjencia e Shëndetit Publik ka publikuar model të hollësishëm me bazë në rajone, që sjell përfundime shumë më pak pesimiste në krahasim me hulumtuesit e tjerë në aspektin e hospitalizimeve dhe vdekjeve për një mijë infektime. Ka qenë një rritje, por deri më tani nuk është traumatike. Natyrisht, jemi duke hyrë në një fazë të epidemisë ku do të shohim shumë më shumë raste brenda javëve të ardhshme – me më shumë njerëz në repartin e kujdesit intenziv – por kjo është njësoj si në secilin vend tjetër. Askush në Evropë nuk ka mundur ta ndalojë përhapjen në masë të konsiderueshme.
Sa u përket shkollave, kam besim se ato do të qëndrojnë të hapura në nivel kombëtar. Ne jemi në mesin e epidemisë dhe, sipas mendimit tim, shkenca dëshmon se mbyllja e shkollave në këtë fazë nuk ka kuptim. Ju duhet t’i mbyllni shkollat goxha herët në epidemi për të arritur një efekt. Në Stokholm, ku janë regjistruar shumica e rasteve në Suedi, jemi afër kulmit të lakores, prandaj mbyllja e shkollave është e pakuptim në këtë fazë. Për më tepër, është instrument për shëndetin psikik dhe fizik që gjenerata e re të qëndrojë aktive.
Shkencëtarët e kanë kritikuar agjencinë për mosnjohje të plotë të rolit të bartësve pa simptoma. A mendoni ju se bartësit pa simptoma paraqesin problem?
Ekziston mundësia që personat pa simptoma ta përhapin virusin dhe disa studime të reja e tregojnë këtë. Por sasia e përhapjes është ndoshta goxha e vogël në krahasim me njerëzit që kanë simptoma. Në një lëvizje normale të një lakoreje në formë të ziles, personat pa simptoma zakonsiht qëndrojnë në margjina, përderisa shumica e lakores mbizotërohet nga personat me simptoma, të cilët vërtet duhet t’i ndalim.
A mendoni se qasja ka qenë e suksesshme?
Është shumë vështirë të dihet. Është shumë herët, vërtet. Secili vend duhet të arrijë në fazën e imunitetit të tufës (kur një pjesë më e madhe e popullsisë është imune ndaj infeksionit, duke e kufizuar në masë të madhe infektimin e personave që nuk janë imunë) në një mënyrë ose në një tjetër dhe ne do ta arrijmë këtë në një mënyrë të ndryshme.
Ka sinjale të mjaftueshme për të dëshmuar se ne mund të mendojmë për imunitetin e tufës, për rishfaqje. Shumë pak raste të ri-infektimeve janë raportuar deri më tani në nivel botëror. Se sa do të zgjasë imuniteti i tufës, ne nuk e dimë, por përfundimisht ekziston një reagim imunitar.
Çfarë do të kishit bërë ndryshe?
Ne i kemi nënvlerësuar problemet në shtëpitë e të moshuarve dhe mënyrën e zbatimit të masave. Do të duhej ta kontrollonim këtë në mënyrë më të tërësore. Në anën tjetër, sistemi shëndetësor, i cili ndodhet nën trysni të pazakontë, megjithatë ka qenë gjithmonë para lakores.
A jeni të kënaqur me strategjinë?
Po. Ne e dimë se Covid-19 është jashtëzakonisht i rrezikshëm për njerëzit shumë të moshuar, që natyrisht se është keq. Por nëse i shikojmë pandemitë, ka skenarë shumë më të këqij se ky. Shumica e problemeve që i kemi ne tash për tash nuk janë për shkak të sëmundjes, por për shkak të masave që në disa mjedise nuk janë zbatuar në mënyrën e duhur. Vdekjet në mesin e personave të moshuar janë një problem i madh dhe ne po luftojmë fort.
Për më tepër, ne kemi të dhëna që tregojnë se epidemia e gripit dhe norovirusi i dimrit kanë rënë në mënyrë të vazhdueshme këtë vit, që do të thotë se distancimi ynë social dhe larja e duarve janë duke dhënë rezultate. Me ndihmën e kompanisë “Google”, kemi parë se lëvizjet e suedezëve kanë rënë në masë të madhe. Strategjia jonë vullnetare e ka pasur një efekt të vërtetë.
Përktheu: Nasuf Abdyli