Europianët, nga sot më të lirë, shumë shtete zbusin më tej kufizimet

Europianët rifitojnë më shumë prej lirive të humbura, ndërsa shtete rreth kontinentit të vjetër zbutën edhe më tej kufizimet, me shpresën se kjo nuk do të nxisë një valë të dytë infektimesh.

Në Francë, shkollat fillore hapën dyert këtë të hënë, për një numër të kufizuar nxënësish. Ngritën qepenat edhe dyqanet e veshjeve, ato të luleve, libraritë e sallonet e bukurisë, ndërkohë që restorantet, kinematë dhe baret do të vijojnë të jenë të mbyllura.

Shumica e bizneseve u hapën të hënën edhe në Belgjikë, ndërsa në Holandë do të hapen pjesërisht shkollat fillore, libraritë autoshkollat dhe parukeritë.

Zvicra do të lejojë rikthimin në banka, të nxënësve të shkollave fillore e atyre të mesme, por klasat do të jenë të reduktura në numër. Edhe restorantet, libraritë e muzetë mund të presin klientë por nën rregulla strikte të distancimit social.

Në disa rajone të Spanjës, pa përfshirë Madridin dhe Barcelonën, grumbullimet deri në 10 persona do të lejohen, dhe baret e restorantet në ambient të hapur do të rihapen. Kriza shëndetësore është përmirësuar ndjeshëm në Spanje, me numrin e viktimave ditore që vazhdon të mbetet nën 200.

Në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri Boris Johnson zbuloi një plan shumë të kujdesshëm për lehtësimin e masave, duke lejuar qytetarët në Angli të kalojnë më shumë kohë jashtë banesave nga e mërkura.

Ata që nuk mund të punojnë nga shtëpia mund të kthehen në punë, ndërsa nxënësit e shkollave fillore mund të kthehen në klasa nga 1 qershori. Johnson tha se rreziku nuk kishte kaluar dhe se vigjilenca duhet të mbetet maksimale. Plani përfshin vetëm për Anglinë, ndërsa Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut mund të vendosin vetë strategjinë e rihapjes.