Faik Konica hapi epoken e rikrishterizimit te shqiptareve

Shkruan: Dr. Thanas L. Gjika

Në historinë e krisherizimit të popullit shqiptar nuk është kuptuar dhe as është vlerësuar si duhet akti i pagëzimit të djaloshit Faik Bej Konica, i cili u konvertua në besimin e krishter katolik me emrin Faik Domenik Konica. Kjo ngjarje ndodhi në verë të vitit 1895 kur ai sapo kishte mbaruar studimet e larta në Dizhon (Dijon) të Francës për Gjuhësi Romane dhe Filozofi.

Ky djalosh koniciot mori mësimet e para në shtëpinë e tij atërore në Konicë, ku u njoh me qytetërimin persian e arab gjatë mësimit të arabishtes, persishtes dhe turqishtes prej një hoxhe të shkolluar e një mësuesi privat. Duke parë zgjuarësinë e tij të veçantë, prindërve të tij iu sugjerua ta dërgonin për studime në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër, ku ai shkoi e jetoi dy vjet. Ky dërgim për vijimin e studimeve në një shkollë katolike jezuite tregon, nga njëra anë tolerancën fetare të prindërve të Faikut dhe nga ana tjatër se mësuesi i tij privat duhet të ketë qenë një katolik (jezuit), shqiptar ose i huaj.

Në Shkodër, kryeqendrën e katolicizmit shqiptar, Faiku ra në kontakt me idetë e qytetërimit evropiano perëndimor, përvetësimit dhe përhapjes së të cilave, si dihet, ai u kushtoi gjithë jetën. Mbas dy vjet ai la Shkodrën dhe shkoi për të vijuar studimet në shkollën franceze të Gallatasarait në Stamboll, të cilën e kreu më 1890, kur ishte vetëm 15 vjec. Në këtë shkollë ai u njoh me djaloshin tiranas Murat Bej Toptani, me të cilin e lidhën bindjet atdhetare e toleranca fetare. Studimet e plota universitare Faiku i kreu në Universitetin e Dizhonit të Francës në vitet 1890-95 dhe ato pasuniversitare në Paris në vitet 1895-97, më tej ai studjoi dhe në Universitetin Harvard të Bostonit në vitet 1909-1912, vitet e para të emigrimit të tij në SHBA. Gjatë gjithë jetës shkollore Faik Konica ka dalë me rezultate të shkëlqyera, duke dëshmuar për zgjuarsinë dhe aftësitë e tij të vaçanta.

Zgjuarsia e tij e veantë u shfaq jo vetëm në rezultatet e larta shkollore, por dhe në shkrimet e tij publicistike, letrare e shkencore, si dhe në rastin e pagëzimit me vullnetin e tij të lirë si i krishter katolik, në moshën njëzet vjeçare. Një veprim të tillë nuk e kishte menduar asnjë shqiptar tjetër para tij. Pagëzimin e Faik Konicës me emrin Domenik e dëshmojnë dhe disa letra të viteve 1895-97 dërguar shqiptarëve të Bukureshtit, ku ai ka firmosur me emrin e ri Faik Domenik Konica. Këto letra ruhen edhe sot në dosjen e tij në Arkivin Qendror të Shtetit shqiptar.

Shtysat kryesore që e nxitën këtë djalosh, pinjoll të një familjeje të shquar myslimane, të konvertohej në i krishter, mendojmë se duhen kërkuar në formimin e tij kulturor e shkencor, në përkushtimin atdhetar dhe në intuitën e tij. Pikërisht formimi i tij i gjerë në kulturën romane evropiane, njohja e së kaluarës së popullit të tij dhe përkushtimi ndaj çështjes kombëtare shqiptare, duhet të kenë qenë shkaqet dhe shtysat kryesore, që e nxitën djaloshin Faik Konica të mendonte se hapi i parë për ta shkëputur popullin shqiptar nga zgjedha e gjatë osmane ishte evoluimi i mendësisë fetare, shkëputja prej mendësisë myslimane përmes konvertimit në fenë e të parëve, në fenë e krishtere, në fenë e përbashkët të shqiptarëve të kohës së para pushtimit osman.

Duket qartë se Faik Konica mendonte se shteti i pavarur shqiptar duhej të ishte i njëjtë për nga përkatësia fetare, me shtetin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut kur luftohej pushtuesi osman. Ky mendim i tij tregon se ai e lidhte proçesin e çlirimit kombëtar nga zgjedha osmane edhe me kthimin në origjinën e besimit fetar. Këtu ai shihte një nga faktorët kryesorë të unitetit kombëtar të shqiptarëve. Ndasia fetare e popullit shqiptar në të krishterë e myslimanë, e krijuar gjatë pushtimit osman, sipas tij, nuk i shërbente unitetit, por përçarjes kombëtare, pra vonimit të proçeseve çlirimtare. Nuk ka dyshim se një mendim i tillë, ishte një mendim pozitiv, por i parealizueshëm. Pamundësinë e realizimit të këtij mendimi e tregoi dështimi i përpjekjeve të këtij rilindasi për ta kthyer pagëzimin e vet në një lëvizje të mbarë intelektualëve shqiptarë myslimanë…

Mbas pagëzimit, Faiku i propozoi mikut të tij të ngushtë, Murat Bej Toptanit, të pagëzohej dhe ai dhe të dy së bashku të nxisnin miq e shokë të tjerë për t’u pagëzuar dhe ata. Mirëpo Murati iu përgjigj se këtë hap ai nuk mund ta bënte, mbasi të parët që do ta sikterisnin (dëbonin) nga shtëpia do të ishin vëllezërit Frashëri, tek të cilët ishte dhëndër. Murati, pra i dha të kuptonte Faikut se pagëzimi në të krishterë i shqiptarëve myslimanë që jetonin brenda Perandorisë Osmane, ishte një veprim që nuk mund të kryhej, prandaj ai nuk nguli më këmbë për këtë problem…
Djaloshi tiranas Murat Bej Toptani pati të drejtë, atmosfera shoqërore dhe ajo fetare në trojet shqiptare të perandorisë nuk mund të lejonte një kapërcim kaq të madh në ndërgjegjen e shqiptarëve myslimanë, të cilët kishin disa breza që ishin familjarizuar me besimin e ri mysliman.

Ndër kohë duhet të shtojmë se mendimi i Faik Konicës, për t’i pagëzuar shqiptarët myslimanë në të krishterë, me qëllim që të forcohej uniteti kombëtar i popullit shqiptar dhe të ndihmohej proçesi i evropianizimit të mendësisë së tij, ndonëse ishte vërtet mendim i parakohshëm, ai ishte një nga ato mendime, të cilat i paraprijnë kohëve dhe hapin epoka të reja. Kështu, po të shohim ecurinë e mendësisë fetare të shqiptarëve nga viti 1895, viti i pagëzimit të Faik Konicës, deri më sot, do të vemë rè se koha ka punuar për përqafimin e mendësisë së krishtere dhe lënien mënjanë ose braktisjen e mendësisë myslimane.

Le të përmendim disa fakte, pa dashur të nxejmë a fyejmë ndonjë besimtar mysliman, sepse për ne besimtarët e mirë mysliman ashtu si dhe besimtarët e mirë të krishterë, janë njësoj të vlefshëm për shoqërinë shqiptare dhe atë botërore. Madje ne mendojmë se, po aq të vlefshëm mund të jenë dhe jo besimtarët, pra ateistët, kur ateizmi i tyre buron nga bindjet e tyre të sinqerta dhe prapa ateizmit të tyre nuk fshehin mendime djallëzore e interesa të ulta:
1. Që në dhjetëvjeçarët e parë të shtetit të pavarur shqiptar, në familjet myslimane atdhetare, filluan të emëroheshin fëmijët jo me emra të mirëfilltë myslimanë si Muhamed, Myftar, Mahmud, Mehmet, etj, por me emra malesh a lumenjsh (Tomori, Korrabi, Drini, Vjosa, Valbona, Shkumbini, etj); me emra lulesh a stinësh (Lule, Vera, Manushaqe, etj); me emra kafshësh a shpendësh (Luan, Dash, Skifter, Petrit, etj), si dhe me emra të tjerë që nuk kanë lidhje me Kuranin e besimin mysliman si Drita, Shpresa, etj.

2. Ahmet Zogu mbas marrjes së pushtetit në vitin 1925, aprovoi si kalendar zyrtar të shtetit shqiptar kalendarin evropian dhe jo atë mysliman; vendosi heqjen e ferexhesë, etj, masa këto që tregonin synimet e tij properëndimore dhe jo promyslimane aziatike. Kur u shpall mbret ai u martua me një bijë të krishtere hungareze të një familjeje kontësh dhe jo me ndonjë bijë të mbretërve a sheikëve të pasur të botës myslimane. Bijtë e tij i pagëzoi me emra të krishterë. Kurse bijtë e bijve të Mbretit Zog jetojnë si të krishterë e jo si myslimanë.

3. Propaganda komuniste antifetare si dhe proesi i dhunshëm i luftës kundër besimeve fetare gjatë regjimit komunist, ndikoi për dobësimin e besimit fetar tek shqiptarët, por ky proes shkatërrimtar solli dëme më të mëdha tek besimtarët myslimanë, mbasi besimi i tyre ishte një besim më i ri e i kishte rrënjët më të dobta. Populli shqiptar në trojet e veta kishte gati njëzet shekuj që kishte përqafuar fenë e krishtere prej misionarësh të mëdhenj si shën Pali, shën Timoteu, shën Asti, shën Kostandini i Madh, shën Jeronimi, etj. Nga radhët e besimtarëve të krishterë kishin dalë gjatë shekujve shumë bij të shquar, klerikë ose jo, si dhe shkrimtarë e martirë që kishin dhënë jetën për lirinë e atdheut. Kurse pjesa myslimane e popullit shqiptar kishte vetëm dy a tre shekuj që ishte konvertuar dhe këtë konvertim e kishte bërë në shumicën e rasteve nga halli ose nën dhunë. Prej pjesës myslimane të popullit shqiptar bijtë e shquar dhe martirët e lirisë ishin më të pakët, madje shumë komunistë e sigurimsa katilë, që po e mundonin popullin çnjerëzisht, ishin pikërisht nga radhët e familjeve myslimane…

4. Mbas vitit 1992, shkërmoqja e komunizmit në Shqipëri u shoqërua me proesin e kthimit tek besimi fetar. Në këtë proçes u vu re se pati pagëzime të shumë shqiptarëve ish myslimanë në të krishterë, por asnjë shqiptar i krishter nuk u konvertua në mysliman dhe nuk shkoi të frekuentonte ndonjë xhami a teqe.

5. Shkrimtari i talentuar shqiptar Ismail Kadare, edhe pse ishte ateist për nga bindjet fetare, u bëri thirrje shqiptarëve në vitin 1995, pikërisht që nga Franca, prej ku u kishte bërë të njëjtën thirrje një qind vjet më parë Faik Konica, që të ktheheshin në fenë e të parëve duke u pagëzuar si të krishterë katolikë.

6. Sot, mjaft të rinj e të reja, që shkojnë për të punuar a studiuar në vendet e krishtera të Evropës ose Amerikës, po pëlqejnë të pagëzohen si të krishterë, të detyruar nga rrethanat konkrete ose dhe nga bindjet e tyre fetare që po përvehtësojnë aty. Ky fenomen po shtrihet sidomos tek fëmijët që lindin në Greqi, Itali, Gjermani, SHBA, Kanada, etj. Mesa duket, prindërit dëshirojnë që fëmijët e tyre në këto vende të mos jenë të mangët për nga formimi kulturor e fetar në krahasim me fëmijët vendas. Në këto vende flitet e propagandohet jeta e Jezu Krishtit dhe Krishtërimi e jo jeta e Muhametit dhe Myslimanizmi, festohen Krishtlindjet e Pashkët e jo Bajrami, askush nuk bëhet synet, etj. Duket se fëmijët e shqiptarëve në këto vende nuk duan të kenë një edukatë fetare të ndryshme nga fëmijët e vendit ku ata do të jetojnë gjithë jetën.

Shkurt mund të themi se shumica e popullit shqiptar gjatë kohës së sundimit osman, e ndikuar prej mendësisë sunduese myslimane, u detyrua të ndërronte besimin nga i krishter në mysliman. Në atë kohë nuk mund të mburreshe se ishe i krishter, por se ishe mysliman, se ishe i një feje me sunduesin. Ndërsa gjatë viteve të shtetit shqiptar të pavarur, e sidomos sot, kur synimi kryesor mbetet bashkimi me shtetet evropiane, ku sundon besimi i krishter, dashur padashur, shqiptarët po vijojnë proçesin e rikrishterizimit të tyre, atë proçes që e hapi 115 vjet më parë djaloshi njëzet vjecar Faik Konica.

Sot, midis shqiptarëve, nuk përbën mburrje të qenët mysliman. Edhe ky fakt ndikon në largimin nga ai besim, të cilin të parët e tyre e përqafuan nën ndikimin e rrethanave që patën krijuar pushtuesit osmanë.
Mësimi themelor që del nga ky vështrim i shkurtër mbi ecurinë e besimit fetar të shqiptarëve, mendojmë se është ky: shqiptarët, ashtu si dhe qytetarët e tjerë të botës, mund ta ndërrojnë besimin fetar sipas rrethanave në të cilat jetojnë, pa u bërë armiq me bashkëkombasit e vet; por ata nuk mund të ndërrojë përkatësinë kombëtare, mbasi po ta ndërrojnë këtë përkatësi, bëhen armiq të bashkëkombasve të tyre.