Një armëpushim i brishtë po mbahet përgjatë kufirit mes Turqisë dhe Sirisë të shtunën, dy ditë pasi presidenti turk, Rexhep Erdogan, u pajtua t’ua japë pesë ditë afat forcave kurde që të tërhiqen nga kjo zonë.
Armëpushimi u arrit gjatë vizitës së zëvendëspresidentit amerikan, Mike Pence, në Ankara të enjten. Kjo marrëveshje pritet të jetë ndihmë për zbutjen e krizës humanitare, e cila i ka detyruar rreth 200 mijë njerëz që të zhvendosen.
Megjithatë, të dyja palët e konfliktit janë ankuar në njëra-tjetrën për disa shkelje të armëpushimit. Ministria turke e mbrojtjes tha të shtunën se nga Siria kanë ardhur 14 sulme provokuese në 36 orët e kaluara, por tha se është duke u koordinuar me Shtetet e Bashkuara për ta vazhduar zbatimin e armëpushimit.
Gazetarët e gjendur në kufi kanë thënë se bombardimet e dëgjuara të premten në mëngjes tashmë kanë pushuar dhe se i kanë parë vetëm disa automjete ushtarake turke duke qarkulluar në këtë zonë.
Ndryshe, presidenti turk ka thënë se e ashtuquajtura zonë e lirë përgjatë kufirit mes dy vendeve do të shtrihet në gjatësi prej 440 kilometrash nga perëndimi në lindje, ndonëse i dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Sirinë tha se marrëveshja vlen për një gjatësi më të vogël, kryesisht ku ka më shumë luftime, shkruan “Reuters”