Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar sot se filmi nga Kosova “Luaneshat e Kodrës”, do të jetë filmi i parë i gjatë që do ta shfaqë premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë.
E pas këtij lajmi ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se Kosova po bënë historinë me përfaqësimin e parë në garën më të rëndësishme për kinematografi në Kanë me filmin ‘Luaneshat e Kodrës’ nga regjisorja Luana Bajrami
Tutje ai ka shtuar se regjisorja me veprimtarinë e saj në film ka dëshm që kreativiteti i rinisë sonë është një nga asetet më të fuqishme të këtij vendi.
Më poshtë mund të lexoni postimin e tij të plotë:
Kosova bën edhe njëherë histori me përfaqësimin e parë në garën më të rëndësishme për kinematografi në Kanë me filmin “Luaneshat e Kodrës” nga regjisorja jonë Luàna Bajrami.
Luana me veprimtarinë në film është dëshmi që kreativiteti i rinisë sonë është një prej aseteve më të fuqishme të vendit tonë, që i japin shpirt dhe frymëzim shoqërisë te ne dhe aktivisht e denjësisht e përfaqësojnë Kosovën në garë krah për krah me të gjithë akterët e botës në çdo rrafsh artistik e profesional.
Filmi i nominuar për garë me filma tjerë shpalos tregimin diku në një fshat të vogël në Kosovë, ku tri të reja shohin se si ëndrrat dhe ambiciet e tyre po u mbyten. Kërkimin e tyre për pavarësi asgjë nuk mund ndalojë: ka ardhur koha për luaneshat të ulërojnë. Ky është rrugëtimi që na e sjellë Luàna Bajrami përmes filmit të parë të saj. ‘Luaneshat e Kodrës’ do të jetë filmi i parë kosovar i metrazhit të gjatë që do ta shfaqë premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, atë të Kanës.
‘Luaneshat e Kodrës’ është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz.
Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë).
Në rolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora dhe Luàna Bajrami. Premiera do të shfaqet në kuadër të programit Director’s Fortnight të Festivalit të Kanës.