Fjalimi i fuqishëm u ambasadorit të Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha ndaj Rusisë

Ambasadori i përhershëm i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha, ka ironizuar me delegacionin rus duke cituar shprehjen e Gavroche-t të Viktor Hugo-s “C’est la faute à Voltaire” (E ka fajin Volteri).

“Dhe pasi të bëjnë atë që kanë bërë në Mariupol në të gjithë Ukrainën, do na thonë këtu që nuk është faji i tyre ‘C’est la faute à voltaire’”, ishte perifrazimi i vyer i diplomatit shqiptar.

Kënga e Gavroche-t, djalit parizien të revoltuar gjatë kryengritjes republikane është një nga ariet më të famshme të repertorit të komedisë muzikore.

“Rashë përtokë, fajin e ka Volteri, Lashë hundën në përrua, është faji i Rusoit”, shkruante Hugo-ja.

Kujtojmë që tryeza e diskutimeve të 17 marsit pranë Këshillit të Sigurisë së OKB-së u thirr nga Shqipëria dhe pesë shtete të tjera lidhur me vijimin e agresionit rus në Ukrainë.


“Tre javë nga një sulm i paprovokuar, i pajustifikuar, i paligjshëm dhe vdekjeprurës i Rusisë në Ukrainë”, tha fillimisht Hoxha në fjalën e tij.

Sipas tij, janë zbuluar detaje të reja, vdekje masive mes civilëve dhe varre masive apo shkatërrime të infrastrukturës nga agresioni rus.

“Shtëpi, shkolla dhe spitale të shkatërruara, jetë që largohen nga bombardimet, ëndrra fëmijësh që shkatërrohen në tym”, vijoi diplomati shqiptar.

Ai shtoi se nuk është nevoja që të përshkruhet kjo situatë e përshkallëzuar por mizoritë e Rusisë mbi Ukrainën po raportohen edhe nga diplomatë kryesorë “larg të ashtuquajturave histeri perëndimore”.

Ndër të tjera, Hoxha citoi edhe fjalët e një gjenerali ukrainas para 72 orëve: Ukraina është në zjarr dhe po asgjësohet.

Duke iu kthyer krizës humanitare në Ukrainë, ambasadori kujtoi se janë 3 milionë refugjatë në 3 javë.

“Më shumë se gjithë popullsia e shtetit tim”, vërejti Hoxha.

Më tej, ai theksoi të dhënat e UNICEF-it se qëkurse ka filluar lufta, “çdo sekondë një fëmijë kalon kufirin e Ukrainës”.

Apelime të shumta për hapjen e korridoreve të gjelbra (humanitare) shkuan në “vesh të shurdhët”, tha në vijim diplomati shqiptar.

Sakaq, Hoxha solli në vëmendje edhe qytete të tëra që kanë mbetur të bllokuara pa ushqim dhe ujë.

“Kjo është fytyra e vërtetë e agresionit rus”, shtoi ai.

Në përmbyllje, Ferit Hoxha ravijëzoi se lajmi kryesor është që “Ukraina po reziston dhe po fiton, ndërsa Rusia është e zhytur në baltë – në fushëbetejë, moralisht, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht”.