Flet babai i dy djemve të vrarë në Velipojë: Më është fikur dera e shtëpisë, për çfarë më duhet jeta

Pjetër Gocaj, babai i dy vëllezërve të vrarë në Velipojë, ka thënë se është i tronditur nga ngjarja që ka ndodhur gjatë natës. Babai i Xhovan dhe Edmond Gocaj për mediat është shprehur se me familjen tjetër nuk ka pasur konflikte dhe fajin e hedh tek shteti.

I tronditur ai thotë se ngjarja duhet të zbardhet dhe të shkojnë para drejtësisë autorët, pasi djemtë ia vranë në derë të shtëpisë. Po ashtu tregon se i gjithë konflikti ka ndodhur për shezlongët, pasi një pjesë e plazhit administrohej nga të dyja familjet.

“Kjo që ka ndodhur mos i ndodhtë me kujt, mua me është fikur dera e shtëpisë. Nuk e kuptoj si ka ndodhur konflikti, por e di qe për shezlong. Më kanë vrarë tek dera e shtëpisë, me kanë vrare dy djemtë. Çfarë me duhet jeta me. Vitin e kaluar i kam pasur unë shezlongët, këtë vit ia kanë dhënë atij.

Ne kemi pritur që të ndahen shezlongët sepse kanë qenë pa u ndarë ende, ata kanë ardhur dhe na vranë në shtëpi. Uroj mos t’i ndodhë më kujt se peshën e rëndë të kësaj ngjarje e kam unë mbi supe. Asgjë nuk dimë.

Më kanë vrarë djemtë. Ata erdhën dhe qëlluan djalin e madh të parin që ishte me dokumente angleze i cili ka ardhur për të investuar dhe punuar. Pastaj qëlluan edhe djalin tjetër, djali i dytë i ka qëlluar edhe ai. Kur ka ndodhur nuk kam qenë këtu”, ka thënë Pjetër Gocaj.