Gazeta e njohur gjermane ka portretuar kryeministrin e Kosovës pas tensioneve të fundit në veri.
Korrespondenti i “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) për Europën Juglindore, Michael Martens, ka shkruar një portret të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Teksti është botuar në numrin e së martës të gazetës prestigjioze gjermane. Autori thekson se kur në mars të vitit 1975 në Prishtinë u lind Albin Kurti, Kosova ishte “ende pjesë e Serbisë dhe Serbia pjesë e Jugosllavisë. Rinia e Kurtit u karakterizua nga shpërbërja e shtetit jugosllav dhe lufta kundër politikës serbe të aparteidit në Kosovë. Gjatë luftës së NATO-s kundër Jugosllavisë së përbërë vetëm nga Serbia dhe Mali i Zi më 1999, ai u arrestua dhe me arsyetime bajate u dënua me 15 vjet burg, mes tjerash për terrorizëm”.
Kur u shpall aktgjykimi, në pushtet ishte Sllobodan Millosheviqi. Por edhe pas dëbimit të tij nga pushteti, Kurti mbeti në burg, u lirua tek pas presionit ndërkombëtar.
“Kam qenë një vit e pesë muaj nën Millosheviqin në burg dhe një vit e dy muaj nën (Vojisllav) Koshtunicën. Pra, Koshtunica ka qenë tre muaj më i mirë se Millosheviqi” – kështu ishte përgjigjur Kurti me sarkazëm gjatë një bisede me “Frankfurter Allgemeine Zeitung” në vitin 2007. Nga kjo bisedë citon korrespondenti Michael Martens, i cili përshkruan betejën e Kurtit kundër misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK). Këtë mision Kurti e quante neokolonialist dhe kërkonte shpërbërjen e tij.
Që nga viti 2021, vazhdon “FAZ”, ky veteran i politikës është kryeministër i Kosovës, jo për herë të parë. Një mandat i mëhershëm i tij përfundoi shpejt – formalisht për shkak të mospajtimeve mbi menaxhimin e pandemisë, por në fakt Kurti u rrëzua si pasojë e intrigave të Richard Grenellit, të dërguarit për Ballkan të presidentit të atëhershëm Donald Trump.
Një ndër motot më të rëndësishme të politikës së jashtme të Kurtit është “reciprociteti”. Në raport me Serbinë ky politikan mbron imperativin kategorik – Kosova, sipas tij, në çdo aspekt duhet ta trajtojë njëjtë Serbinë ashtu siç e trajton Serbia Kosovën. Tensionet e fundit në kufirin kosovaro-serb kanë të bëjnë edhe me këtë. Kurti dëshiron që autoritetet e Kosovës të mos i pranojnë më dokumentet serbe të identifikimit për shkak se edhe Serbia nuk i pranon ato kosovare. Në të ardhmen serbët do të duhej të pajiseshin me një dokument të përkohshëm kosovar, ngjashëm siç duhet ta bëjnë kosovarët kur duan të hyjnë në Serbi, shkruan gazeta gjermane. “Nën presionin e amerikanëve Kurti e shtyu për një muaj zbatimin e masës. Më së voni në shtator në kufi sërish mund të ngrihet temperatura”, nënvizon “FAZ”.