Gastroenterologu Visar Berisha në një shkrim në Facebook ka sqaruar se përse është i vështirë të gjendet shkaktari i rasteve të dyshimta të helmimit në Deçan.
Qe tri ditë më shumë se 1500 qytetarë nga disa fshatra në Deçan janë ankuar me simptoma helmimi. Dyshimet e para kanë qenë në ujin që vjen nga ujësjellësi “Hidrodrini”, por analizat e para kanë rezultuar negative. Megjithatë, institucionet kanë njoftuar se do të bëhen analiza më të thella e madje edhe jashtë vendit, për shkak se në Kosovë s’mund të bëhen të gjitha llojet.
“Pse nuk është e lehtë të dihet shkaktari i emergjencës mjekësore në Deçan?! Sepse është vështirë i identifikueshëm. Nëse ka qenë uji i kontaminuar nga faktorë biologjikë (bakterie ose viruse) koha e vetëpastrimit të ujit të rrjedhshëm është e shpejtë, prandaj janë vështirë të kapshëm (nëse nuk po flasim për një burim permanent të infeksionit); Po ashtu, edhe mostrat e fecesit joshpesh japin rezultate të pritura; koha e paraqitjes te mjeku, trajtimi paraprak me antibiotikë etj”, ka thënë ai.
Se përse dikush shfaq simptome e dikush jo, Berisha ka thënë se kjo bëhet sepse “ka njerëz me barrierë antibakteriale e antivirusale më të fortë se tjerët”.
Ai ka sqaruar po ashtu se pse po kanë simptome edhe disa qytetarë që s’kanë konsumuar ujin e njëjtë.
“Sepse nuk është vetëm uji burim, por edhe prekja me duar, ushqimi, të ushqyerit e përbashkët…”, ka shpjeguar Berisha.
Se sa mund të zgjasë kjo situatë, Berisha ka thënë se nëse është infeksion bakterial do të ketë lokalizim më të shpejtë, por nëse është virale, duhet të pritet.
“Pse nuk duket se po flasim për helmim me agjentë jobiologjikë? Sepse simptomatologjia do të duhej të ishte sistemike, që prek edhe sisteme tjera të organizmit (sistemin nervor, psh.)”, ka shkruar ai.