Gazetari amerikan, Forrest Rogers, ka vënë re një hollësi interesante përmes një fotografie ku shihen dy ministra të Putinit. Më saktësisht, ai vërejti një “mashtrim” përmes orëve të dorës së ministrave Shoigu dhe Lavrov.
Në një fotografi të publikuar në llogarinë e tij në Twitter, gazetari Rogers ka rrethuar me të kuqe orët e ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe ministrit të Jashtëm, Sergei Lavrov.
“Putini mblodhi një takim të paplanifikuar me Këshillin e Sigurisë së Rusisë në Moskë të hënën. Takimi u transmetua në orën 5 pasdite. Por në çfarë kohe u mbajt në të vërtetë ai? T’i shikojmë orët e disa pjesëmarrësve”, shkroi gazetari në Twitter.
Koha në orët e ministrave në momentin e fotografimit shihet se ishte 11:45.
Vetë presidenti rus, Vladimir Putin, është parë që në një moment e kishte hequr orën e vet nga dora gjatë takimit të Këshillit të Sigurisë.