Kancelari gjerman Olaf Scholz deklaroi se Gjermania nuk mund të përballojë vendosjen e një embargoje për furnizimet me gaz nga Rusia.
Lajmin e bën të ditur botimi gjerman “Spiegel”, duke cituar intervistën me Scholz-in.
“Çështja është se ne duam të shmangim një krizë dramatike ekonomike, humbjen e miliona vendeve të punës dhe fabrikave që nuk do të hapen më kurrë. Kjo do të kishte pasoja të rënda për vendin tonë, për të gjithë Evropën dhe do të dëmtonte rëndë financimin për rindërtimin e Ukrainës”, theksoi kancelari gjerman.
Sipas Scholz-it, embargoja do të krijojë një krizë globale, të cilën Gjermania “nuk do të ishte në gjendje ta përballonte”.
Përveç kësaj, kancelari gjerman nuk mendon se embargoja e gazit mund t’i japë fund agresionit rus në Ukrainë.
Më herët, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se vendi i tij nuk kishte nevojë për gazin rus, por Evropa varej prej tij.