Arrestimi i së hënës u dha fund gjashtë ditëve dramatike në të cilat vrasësi i supozuar dukej se ishte zhdukur, duke lënë pak të dhëna pas dhe duke i ikur policisë. Jo vetëm që mundi të largohej nga një prej qyteteve më të ngarkuara në botë duke përdorur transportin publik, por emri i tij nuk u bë publik derisa u arrestua. Është gjithashtu e paqartë se ku fshihej pasi u largua nga New Yorku.
Nuk ishte ADN-ja apo teknologjia e njohjes së fytyrës që i dha fund çështjes. Në fund një punonjës i zinxhirit të ushqimeve “McDonald’s” – disa orë larg vendit të krimit – ishte ai që vuri re personin e dyshuar për një nga vrasjet më tronditëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I dyshuari ishte i kujdesshëm pasi mbante maskë teksa lëvizte rreth New Yorkut, vendin ku kreu vrasjen.
Por vigjilenca e tij nuk ishte në nivelin e duhur çdoherë. Ai e hoqi maskën për disa sekonda teksa flirtonte me nëpunësen e hotelit ku qëndroi para vrasjes dhe më pas e përsëriti veprimin edhe kur shkoi të hante bukë në “McDonald’s” në Altoona, vendin ku u arrestua.
Kjo mjaftoi për ta identifikuar.
Policia në Altoona, Pensilvani, hyri në restorant dhe arrestoi Luigi Mangionen, një 26-vjeçar nga një familje e pasur në zonën e Baltimores.
Pas gjashtë ditëve dramatike, “gjuetia” për njeriun që pretendohej se kishte vrarë shefin e kompanisë më të madhe të sigurimit në SHBA, Brian Thompson, përfundoi.
Telefonata nga “McDonald’s”
Të hënën në mëngjes një punonjës i “McDonald’s” në Altoona e identifikoi Mangionen. “Ja ky është gjuajtësi nga New Yorku”.
“Mendova se po bënte shaka (duke iu referuar punonjësit)”, ka rrëfyer një prej klientëve për BBC-në që rastisi të ishte në vendngjarje në momentin e arrestimit të 26-vjeçarit.
Menjëherë njoftuan Policinë. Fillimisht oficerët iu afruan Mangiones dhe e pyetën nëse kishte qenë në New York.
Teksa po shkonte drejt gjykatës të martën, Mangione bërtiti se “populli amerikan po fyhet”.
Ai tani përballet me akuzat për vrasje të shkallës së dytë së bashku me veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Policia e New Yorkut ka thënë se i dyshuari mbërriti për herë të parë në qytet më 24 nëntor, në prag të Festës së Falënderimeve. Ai vizitoi hotelin “Hilton”, para të cilit do të ndodhte vrasja, dhe takimi i tij me një nëpunëse të hotelit u kap nga kamerat.
Dhjetë ditë më vonë, më 4 dhjetor, Brian Thompson u qëllua për vdekje teksa po shkonte në një takim në hotelin “Hilton” rreth orës 7 të mëngjesit.
I dyshuari iku në këmbë, më pas me një biçikletë dhe hipi në një taksi në një stacion autobusi. Prej aty u largua nga qyteti.
Gëzhojat në vendngjarje kishin fjalë të shkruara mbi to, që mendohej se ishin referenca për sigurimet shëndetësore: “vonë”, “moho”, “depozitoj”.
Ai kishte gjithçka, por u zhduk
Mangione vjen nga një familje e madhe dhe e pasur në Baltimore, Maryland, që kanë biznese si shtëpi pleqsh, pasuri të paluajtshme, fusha të golfit, restorante dhe një radio.
Ai u shkollua në shkollën private “Gilman”, ndërsa ishte prej nxënësve më të dalluar.
Ish-shoku i klasës, Freddie Leatherbury, ka thënë se Mangione vinte nga një familje shumë e pasur. “Sinqerisht, ai kishte gjithçka”, ka thënë Leatherbury.
Mangione vazhdoi në Universitetin e Pensilvanisë. Mori diplomën bachelor dhe master në shkenca kompjuterike dhe themeloi klubin për zhvillimin e videolojërave.
Një shok e përshkroi Mangionen si “person super normal” dhe “i zgjuar”.
Postimet në rrjetet sociale tregojnë se miqtë dhe anëtarët e familjes së fundmi janë përpjekur ta kontaktojnë dhe ta pyesin për vendndodhjen.
Në një postim në X nga tetori dikush e pyeti Mangionen: “Hej, a je mirë? Askush nuk ka dëgjuar për ty prej muajsh dhe familja po ju kërkon”.
Edukimi, ekspertiza dhe shmangia e policisë prej ditësh
Arrestimi i së hënës u dha fund gjashtë ditëve dramatike në të cilat vrasësi i supozuar dukej se ishte zhdukur, duke lënë pak të dhëna pas dhe duke i ikur policisë.
Jo vetëm që mundi të largohej nga një prej qyteteve më të ngarkuara në botë duke përdorur transportin publik, por emri i tij nuk u bë publik derisa u arrestua. Është gjithashtu e paqartë se ku fshihej pasi u largua nga New Yorku.
Juliette Kayyem, ish-ndihmëssekretare për politikën në Departamentin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, ka thënë se njohuria që kishte në teknologji mund ta ketë ndihmuar Mangionen ta shmangte arrestimin për gati një javë.
“Ky ishte dikush që studioi kamerat e qyteteve dhe mënyrat për t’u ikur autoriteteve. Tani që dimë pak për të – se është person i zgjuar, shkoi në shkolla të shkëlqyera, kishte diploma të larta, studioi teknologjinë inxhinierike – disa prej tyre kanë filluar të kenë kuptim”, ka thënë Kayyem.
I dyshuari mbante maskë në fytyrë pothuajse vazhdimisht. Iu gjet një patentë shoferi fals dhe një “armë fantazmë” – e montuar nga vetë i dyshuari pa numër serial, për të cilën policia ka thënë se mund të ishte printuar 3D.
Ai përdori para për blerje në New York dhe u largua nga skena e krimit duke u futur në “Central Park”, ku ka pak kamera vëzhgimi.
Por gjithashtu dukej se kishte bërë disa gabime elementare – duke përfshirë zbulimin e fytyrës teksa qëndronte në hotel, mbajtjen e armës edhe pasi kreu krimin dhe ruajtjen e kartës së identifikimit të rremë.
Familja Mangione lëshoi deklaratë të hënën mbrëma përmes kushëririt të Mangiones, ligjvënës i shtetit Maryland.
“Familja jonë është e tronditur dhe e shkatërruar nga arrestimi i Luigit. Ne ofrojmë lutje për familjen e Brian Thompsonit dhe kërkojmë nga njerëzit që të luten për të gjithë të përfshirët”, ka thënë Nino Mangione.
Gjurmët në internet zbulojnë motivin e vrasjes?
Gjurmët në internet të Mangiones tregojnë pak postime në lidhje me kujdesin shëndetësor ose industrinë e sigurimeve shëndetësore. Në vend të kësaj ka komente rreth inteligjencës artificiale dhe teknologjisë, shkencës dhe filozofisë, dhe rishikime të një sërë librash, duke përfshirë “1984” dhe serinë e Harry Potterit.
Por një numër i llogarive të rrjeteve sociale që përputhen me emrin dhe fotografinë e tij ofrojnë disa të dhëna të mundshme rreth motivit pse kreu vrasjen.
RJ Martin, ish-cimeri i Mangiones në Hawaii, ka thënë se i dyshuari kishte lëndim në shpinë, por “kurrë nuk u ankua”.
“Lëndimi i tij në shpinë e ndaloi, ndonjëherë të bënte shumë gjëra normale”, ka rrëfyer Martin.
Në profilin e tij në X, Mangione ka postuar një foto kur tregon rrezen X të një shtylle kurrizore me pajisje në të.
Martin, i cili humbi kontaktet me Mangionen, beson se ish-shoku i tij “nuk do ta kishte menduar kurrë të lëndonte dikë tjetër”.
Llogaria e Mangiones në “Goodreads”, faqe interneti për diskutime rreth librave, tregoi se kishte lexuar disa libra për menaxhimin e dhimbjeve të shpinës, njëri prej tyre i quajtur “Crooked: Outwitting the Back Pain Industry”.
Gjithashtu në faqen “Goodreads”, Mangione ia dha katër yje një libri të quajtur “Shoqëria industriale dhe e ardhmja e saj” nga Theodore Kaczynski – i njohur më mirë si manifesti Unabomber.
Duke filluar nga viti 1978, Kaczynski kreu një fushatë bombardimi që vrau tre persona dhe plagosi dhjetëra të tjerë.
Në diskutimin e tij, Mangione pranoi se Kaczynski ishte individ i dhunshëm që vrau njerëz të pafajshëm. Megjithatë, ai argumentoi gjithashtu se libri nuk duhet të hidhet poshtë si manifestim i një të çmenduri, por si vepër e një “revolucionari ekstrem politik”.
Ai citoi një tjetër komentues i cili shkroi: “Kur të gjitha format e tjera të komunikimit dështojnë, dhuna është e nevojshme për të mbijetuar”.
Mangione shkroi se e konsideronte këtë këndvështrim “interesant”.
Policia ka thënë se në momentin kur u arrestua, Mangione kishte në dorë një dokument trefaqësh ku shprehte “vullnetin e keq ndaj Amerikës korporative”.
“Kërkoj falje për çdo traumë, por duhej bërë”, thuhej ndër të tjera në dokumentin e Mangiones.
Keqardhje për viktimën… por edhe për të dyshuarin
Ka pasur reagime të ndryshme për vrasjen dhe arrestimin e Mangiones – keqardhje për Thompsonin dhe familjen e tij, por edhe zemërim për sistemin e shtrenjtë dhe jashtëzakonisht të komplikuar të kujdesit shëndetësor të Amerikës.
Në internet vrasja shkaktoi disa kritika ndaj industrisë së sigurimeve mjekësore dhe Mangione madje u përshëndet si hero.
Policia në Altoona ka thënë se ka marrë qindra emaile dhe telefonata, duke përfshirë kërcënime me vdekje. Madje disa njerëz kanë thirrur policinë në mbështetje të Mangiones, duke pretenduar se ata ishin në të vërtetë vrasësi dhe se policia “ka djalin e gabuar”.
Dhe policia po këshillon punonjësit e “McDonald’s” që të mos japin intervista ose deklarata për shkak të shqetësimit për sigurinë e tyre.
Restoranti mori qindra komente negative në internet, duke i quajtur punonjësit “minj” dhe duke i kritikuar që thirrën policinë.
Ndjenja të ngjashme janë shprehur në internet, shpesh në postime nga llogari anonime. Por të tjerët i kanë dënuar sjelljet e tilla.
“Në Amerikë ne nuk vrasim njerëz me gjakftohtësi për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike ose për të shprehur një pikëpamje. E kuptoj që njerëzit janë të zhgënjyer me sistemin tonë të kujdesit shëndetësor… Por nuk kam asnjë tolerancë, as nuk duhet dikush të ketë për një njeri që përdor një armë fantazmë të paligjshme për të vrarë dikë, sepse mendon se mendimi i tij ka më shumë rëndësi. Në disa qoshe të errëta ky vrasës po përshëndetet si hero. Më dëgjoni: ai nuk është hero”, u tha gazetarëve guvernatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro.