Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq në një interviste ekskluzive për Kohën ka thënë se Serbia në një masë të konsiderueshme ka ndihmuar në jetësimin e atyre që ishin interesa ruse në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që ka qenë një lloj platforme për realizimin e interesave ruse në këtë rajon.
Ai tutje ka shtuar se Mali i Zi është aq sa është, por, siç por duke e marrë shembull rastin e Ukrainës, Gjukanoviq ka thënë se tregohet se sa armë e fortë është kur e mbroni shtëpinë tuaj, kur e mbroni lirinë tuaj, vlerat tuaja.
“Kjo përherë është një pozitë shumë më e fuqishme kundruall pozitës së shtetit që krejt këtë e shkakton. Mali i Zi gjatë viteve të shkuara ka treguar se megjithëse në aspektin territorial dhe me popullatë është shtet i vogël, ia ka dalë që t’i mbrojë vlerat e veta dhe ia ka dalë që ta mbrojë të drejtën e vet për zgjedhje të lirë të së ardhmes”, ka thënë ai.
Ai tutje ka shtuar se duhet ditur se Mali i Zi dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë të fuqizuara me një intensitet dhe cilësi të re të unitetit evropian.
Sipas tij, kurrë në një afat më të shkurtër nuk ka ndodhur një homogjenizim i këtillë në kontinentin evropian dhe një vendosmëri e tillë përbrenda Aleancës së NATO-s, duke shtuar se beson se sot të gjithë janë më të fuqizuar për ta vazhduar mbrojtjen e vlerave të përnjëmendta si në shtëpitë e tyre, ashtu edhe në shtëpitë e tjera në të cilat këto vlera janë të sulmuara.
“Për këtë arsye edhe e përsëris se Ukraina nuk po e mbron vetëm veten, Ukraina po e mbron sigurinë evropiane, vlerat evropiane dhe prandaj duhet ta kemi këtë parasysh, andaj duhet që ta mbrojmë fuqimisht këtë rezistencë heroike të Ukrainës që të tregohet se modelet anarkike politike që Rusia po i përdor në relacion me Ukrainën megjithëkëtë e paraqesin të shkuarën dhe nuk mund të çojnë deri tek rezultati që Rusia qartazi e dëshiroi në këtë rast. Mendoj që këtë duhet ta shfrytëzojmë të gjithë si një lloj trimërie që të mund ta përforconim edhe sistemin tonë të vlerave, unitetin tonë dhe që në këtë mënyrë të siguronim garanci të një të ardhmeje të qartë dhe të suksesshme të secilit popull dhe shtet evropian”, ka shtuar ai.
Gjukanoviq thotë se ka mosbesim serioz ndaj Vuçiqit
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq ka folur edhe për qëndrimin e shtetit që ai udhëheqë kundrejt iniciativës “Ballkani i Hapur”.
Ai ka thënë se arsyeja pse nuk janë pjesë e Ballkanit të Hapur ndër të tjera është edhe sepse në këtë rajon tashmë ekzistojnë më shumë se 30 iniciativa rajonale.
Sipas tij, në vend që ta përdoret kapaciteti i iniciativave ekzistuese, vazhdimisht po krijohen iniciativa të reja.
“Këtu tani po bëhet përpjekje që të realizohet diçka që është shumë qartë e definuar me anë të iniciativave siç janë Procesi i Berlinit dhe iniciativa CEFTA. Këto iniciativa janë nën ombrellën e qendrave të fuqishme ndërkombëtare të fuqisë. Pra, Procesi i Berlinit është i lansuar në Berlin, siç ia thotë emri, dhe është nën mbikëqyrjen e fuqishme të BE-së. Nëse më pyesni, nëse do të bashkëpunoj, nëse do të vendos a duhet t’i besoj më shumë iniciativës që është e lansuar nga Berlini e Brukseli apo iniciativës së ngjashme të lansuar nga rajoni ynë, e cila nuk nënkupton se atë që duam ta realizojmë e realizojmë duke i respektuar standardet evropiane, por duke i respektuar disa standarde gjysmevropiane, disa standarde ballkanike, pra nuk ka kurrfarë dyshimi se përherë do të jem në anën e iniciativës që është nën mbikëqyrjen e BE-së. Pse? Për shkak se iniciativat rajonale në fakt i përjetojmë si shanse të mira dhe si një kohë të mirë për përgatitjen e të gjitha vendeve tona për jetë në bashkësinë e Evropës së bashkuar”, ka shtuar ai.
Arsyeja e dytë sipas tij është edhe për shkak se kanë “mosbesim joserioz kundruall disa prej autorëve të kësaj iniciative”.
Gjukanoviq ka thënë se konkretisht ka mosbesim serioz ndaj presidentit të Serbisë.
“Pse po ndodh ky mosbesim? Nuk është ky kurrfarë qëndrimi antiserb. Përkundrazi. Ne gjithashtu gjatë historisë kemi pasur marrëdhënie të gjata dhe përmbajtjesore e miqësi me Serbinë, por mjerisht ka pasur shumë shpesh etapa kur Serbia e ka shpërfaqur ambicien e pafshehur që ta aneksojë Malin e Zi, duke e trajtuar si shtet serb, duke u përpjekur që ta mohojë identitetin kombëtar malazias, pra, duke i trajtuar malazezët si serbë për ta dëshmuar paarsyeshmërinë e ekzistimit të shtetit të pavarur malazias”, ka thënë ai.
Ai ka komentuar gjithashtu edhe ndërlidhjen që i është bërë për tentativë atentatin ndaj presidentit serb.
Gjukanoviq ka thënë se bëhet fjalë për një sajim të ashpër, një sajim që do të duhej përdorur për homogjenizimin e publikut të brendshëm.
“Siç keni parë në zhvillimin e mëtutjeshëm të këtij rrëfimi, nuk është shfaqur asnjë dëshmi, siç nuk është paraqitur as edhe një shkronjë që do të mund ta vërtetonte një sajim të këtillë, ngase është përnjëmend një sajim absolut. Unë jam president i shtetit të Malit të Zi e jo atentator dhe jo dikush që është organizator i akteve terroriste në këtë rajon. Unë jam president i Malit të Zi që e ka treguar dhe që e tregon edhe sot synimin më të mirë për të bashkëpunuar me të gjitha shtetet, përfshirë edhe Serbinë, deri në masën që këtë Serbia e mundëson, krejt deri kur idetë e nacionalizmit serbomadh që kanë qenë të vendosura nëpër disa institucione si Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve, nuk i kanë vënë në pikëpyetje marrëdhëniet tona të mira ndërshtetërore”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se nacionalizmi serbomadh nga selitë e adresave më të larta shtetërore të Serbisë do që Mal të Zi të mos ketë.
“E Mali i Zi, logjikshëm, do që të zgjasë, do që të jetë shtet i përgjegjshëm, fqinj i përgjegjshëm, një faktor i përgjegjshëm i bashkëpunimit rajonal, tashmë është anëtar i NATO-s dhe do që të bëhet pjesë e BE-së. Dhe, natyrisht që do të mbesim të hapur edhe për bashkëpunimin e ardhshëm, atëherë kur Serbia përsëri të kthehet nga vetja dhe të fillojë që të merret me të ardhmen e saj evropiane, të ndalojë së rrezikuari sovranitetin dhe stabilitetin e shteteve fqinje”, ka thënë ai.