Qendra operative e krizave spitalore, ka njoftuar mbrëmjen e së mërkurës se “pacientja zero”, e diagnostikuar në Greqi me virusin Covid19, është plotësisht e shëruar dhe me plotësimin e afatit prej 14 ditësh në spital, pacientja 38 vjeçare dhe fëmija e saj 9 vjec pritet të largohen nga spitali për t’ju kthyer jetës së tyre normale, njoftoi kjo qendër.
Rasti zero u evidentua në vend, mbasi pacientja 38 vjeçare u paraqit në spitalin Ahepa të Selanikut, mbas një udhëtimi biznesi në Milano, raporton Top Channel.
Prej ekzaminimeve, u konstatua se edhe djali i saj 9 vjeç, që kishte simptoma të sëmundjes, ndaj edhe të dy u izoluan në spitalin e Selanikut në kushtet e karantinës së plotë.
Ata u mbajtën në një dhomë me presion negativ, ndërsa simptomat e tyre nuk ishin të rënda dhe organizmi i tyre reagoi mjaft mirë ndaj medikamenteve me të cilat u trajtuan.
Rëndësi e veçantë iu kushtua edhe gjendjes së tyre psikologjike, e cila u vlerësua e kënaqshme.
Lajmi për shërimin e pacientes së parë, ka shtuar optimizmin në Greqi, ku deri tani janë diagnostikuar me koronavirusin 99 persona, 3 prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë në spital.
Vlen të theksohet se deri tani prej këtij virusi nuk ka asnjë viktimë, ndërsa prej gripit H1N1, janë shënuar më shume se 85 viktima që prej vjeshtës së vitit 2019.