Greqia i paralajmëron aleatët ndërkombëtarë për rrezikun për luftë me Turqinë

Qeveria e Greqisë u ka shkruar partnerëve të vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian dhe kreut të Kombeve të Bashkuara, duke u kërkuar atyre që të dënojnë zyrtarisht bisedat agresive nga zyrtarët në Turqinë fqinje dhe ka sugjeruar se tensionet aktuale dypalëshe mund të përshkallëzohen në një konflikt të dytë të hapur në tokën evropiane.

Në letrat të cilat u panë të mërkurën nga Associated Press, ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, tha se sjellja e rivalit të vendit të tij – dhe aleatit të NATO-s – duhet të dënohet nga të tri trupat.

“Duke mos e bërë këtë në kohë ose duke nënvlerësuar seriozitetin e çështjes, ne rrezikojmë të dëshmojmë sërish një situatë të ngjashme me atë që po shpaloset aktualisht në një pjesë tjetër të kontinentit tonë”, shkroi ai, në një aludim për luftën në Ukrainë. “Kjo është diçka që askush nga ne nuk do të dëshironte vërtet ta shihte”.

Letrat vijnë në një pikë të marrëdhënieve të ulëta midis dy fqinjëve, të cilët janë të ndarë nga armiqësia shekullore dhe mosmarrëveshjet bashkëkohore, duke përfshirë kufijtë e Detit Egje dhe migracionin. Greqia dhe Turqia i janë afruar luftës tri herë gjatë gjysmëshekullit të fundit.

Të martën, presidenti i Turqisë përsëriti kërcënimin për pushtim, të bërë gjatë fundjavës. Athina u përgjigj se është e gatshme të mbrojë sovranitetin e saj.

Në letrat drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, kreut të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe shefit të OKB-së, Antonio Guterres, Athina citoi deklaratat e Recep Tayyip Erdoganit për “pushtimin” grek të ishujve të Detit Egje që kanë qenë pjesë e Greqisë për dekada, dhe popullit grek si “i poshtër.”

“Udhëheqja turke me sa duket ka zgjedhur të paraqesë agresionin e ardhshëm si të përgatitur tashmë dhe, më e rëndësishmja, si një veprim të justifikuar”, tha ai. “Nëse nuk shihet në dimensionet e tij të vërteta dhe nuk trajtohet siç duhet nga komuniteti ndërkombëtar, ky qëndrim turk rrezikon të destabilizojë rajonin tonë më të gjerë dhe të shkaktojë pasoja, graviteti i të cilave është i vështirë të vlerësohet”.

Erdogan tha të martën se Turqia “mund të vijë krejt papritur një natë” në përgjigje të kërcënimeve greke, duke sugjeruar se një sulm turk nuk mund të përjashtohet.

Ankaraja thotë se Greqia po shkel marrëveshjet ndërkombëtare duke mbajtur një prani ushtarake në ishujt afër vijës bregdetare të Turqisë në Egje. Ajo ka akuzuar gjithashtu mbrojtjen ajrore greke për bllokimin e avionëve luftarakë turq gjatë stërvitjeve të NATO-s mbi Mesdheun lindor.

Greqia thotë se i duhet t’i mbrojë ishujt lindorë të saj – përfshirë ata që janë më afër Turqisë sesa Greqisë.