Menaxhmenti i ri i Postës së Kosovës ka shkarkuar sot Xhyljetë Izmaku-Rama nga pozita e drejtoreshës së Departamentit për Burime Njerëzore, Administratë dhe Protokoll.
Raportohet se ajo është shkarkuar për shkak të shkeljeve në vendin e punës dhe për nepotizëm.
Izmaku Rama është bashkëshortja e ish-deputetit të PDK-së, Rafet Rama, i cili më 2016 ishte kundërkandidat i Hashim Thaçit për president të vendit. Ajo po ashtu është motra e ish-deputetes Xhevahire Izmaku.
Ndër arsyet e shkarkimit, siç ka mësuar Koha, janë gjetjet e Auditorit për shkeljet e bëra gjatë menaxhimit të saj me Burimet Njerëzore në këtë ndërmarrje.
Këtë e ka konfirmuar për IndeksOnline, vet Izmaku. E cila këtë vendim e quan kryekëput politik.
“Absolutisht është vendim politik. Nuk ka asnjë arsyetim ligjor. Bashkëshorti im Rafet Rama dhe motra ime Xhevahire Izmaku janë ish-deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe pikërisht ky vendim është politik, vlerësimi i peformancës sime është mbi 90 %”, thotë ajo.
E njëjta madje thotë se posti dhe detyra që ka bërë s’ka qenë nepotizëm. “Vendimi më ka ardhë sot, unë isha në orar të rregullt të punës në orën 10:00.
Dhe s’ka të bëj aspak me nepotizëm. Do të ushtrojë edhe padi për mediumin që ka bërë shpifje pa marrë deklaratën time kanë dhënë lajm me shpifje”, përfundon Izmaku-Rama.