Grupi Wagner do të vriste Zelenskyn, thotë këshilltari i lartë ukrainas

Sipas këshilltarin në Ministrinë e Mbrojtjes të Ukrainës, Markian Lubvinskyi, grupi mercenar Wagner, ishte përcaktuar nga Vladimir Putin për të vrarë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas fillimit të agresionit rus në territorin ukrainas, i cili mori jetë më 24 shkurt.

Në një intervistë për median amerikane CNN, këshilltari pranoi se tentativa, ka pasur edhe për vrasjen e kryeministrit, Denys Shmyhal.

“Qëllimi i tyre ishte vrasja e lidershipit në Kiev. Për këtë arsye, një numër i konsiderueshëm i tyre u dërguan në Ukrainë me këtë mision, por nuk patën sukses”, tha Lubvinskyi.

Komploti, po sipas tij, u ndal nga shërbimet sekrete të shtetit dhe nga forcat speciale, të cilat janë të ngarkuara me mbrojtjen e presidentit.

Madje, këshilltari i lartë thekson se ka edhe prova mbi këtë gjë dhe ato do të dërgohen në Gjykatën Ndërkombëtare të Hague-ës.