Kleriku i diskutueshëm Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e akuzon për organizimin e përpjekjes për grusht shteti ushtarak të vitit 2016, u shtrua në një spital me këshillën e mjekëve të tij, raporton Cumhuriyet.
Duke cituar faqet e internetit të afërta me lëvizjen Gulen, e njohur në Turqi si organizata FETO, gazeta turke tha se predikuesi u shtrua në spital për kontrolle të rregullta dhe u konsiderua nga mjekët se duhej të qëndronte i shtruar në spital për të monitoruar më mirë shëndetin e tij.
Në nëntor të vitit të kaluar në rrjetet sociale në Turqi qarkulluan shumë skenarë se kleriku i vetëmërguar në SHBA kishte vdekur.
Mirëpo, faqja e internetit TR724, e cila njihet për kontaktet e saj me lëvizjen Gulen, mohoi lajmin duke konfirmuar se ai është në gjendje të mirë shëndetësore.
Që nga 2016-ta, Ankaraja kërkon esktradimin e tij nga SHBA, duke e akuzuar si ideator të 16 korrikut famëkeq, por autoritetet amerikane s’e lëshojnë. Madje aludohet se politika amerikanë është mbrojtësja më e fortë e lëvizjes së tij, e cila për mendimin klasik islam është tejet e diskutueshme fetarisht.