Nuk janë të rrallat rastet kur burrat kosovarë vendosin që të ndajnë jetën e tyre bashkë me dy gra. Kjo shpesh shkakton telashe me gratë e para e të tjerët familjarë, të cilët kundërshtojnë një gjë të tillë, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur këto ditë në rrugën ‘Beteja e Kaçanikut’ në Ferizaj, ku një 36-vjeçar dje ka përfunduar në Polici pas denoncimit nga bashkëshortja e tij.
Sinjali mëson se gjithçka ka ndodhur të mërkurën, kur i dyshuari kishte shkuar në shtëpi me një grua tjetër, të cilën bashkëshortes ia kishte prezantuar si gruan e tij të dytë. Kur bashkëshortja e tij kishte shprehur pakënaqësi lidhur me vendimin e 36-vjeçarit, ai e kishte kërcënuar atë se do ta largojë nga shtëpia.
33-vjeçarja për të zgjidhur problemet kishte denoncuar rastin në Polici, por kjo e revoltoi edhe më shumë bashkëshortin e saj i cili kishte telefonuar familjarët e gruas dhe u ishte drejtuar me fjalët “Hajdeni merreni motrën tuaj se e vras”.
Po ashtu dje gjatë ditës, ferizajasi kishte sulmuar duke e kapur për fyti edhe motrën e tij, e cila kishte shprehur poashtu pakënaqësi lidhur me vendimin për të marrë një grua të dytë.
Pas denoncimit, njësitet policore kanë arrestuar personin e dyshuar, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, prokurori ka nxjerrë aktvendim që 36-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Sulm’.