112 shtëpi janë përmbytur në qytetin jugor të Ukrainës, Kryvyi Rih, pasi raketat kanë goditur digën kryesore të një rezervuari. Kreu i qytetit, Oleksandr Vilkul deklaroi se banorët e rreth 22 lagjeve në këtë qytet kanë kërkuar që të evakuohen. Ai shtoi se tanimë, situata është nën kontroll.
Ukraina tha se sulmi ishte “hakmarrje nga Rusia” për kundërsulmin e saj të fundit. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e përshkroi Rusinë si një “shtet terrorist” pas sulmit të së mërkurës në rezervuarin Karachunivske.
“Ju jeni të dobët që luftoni civilët”, u shpreh Zelensky.
Furnizimi me ujë u ndërpre nga sulmi në qytetin ku jetonin më shumë se 600,000 njerëz përpara pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia më 24 Shkurt.
“Uji depërtoi përmes digës dhe vërshoi brigjet e lumit”, thanë zyrtarët.
Kreu i qytetit, Vilkul tha se nivelet e ujit në lumin Inhulets tani “kanë rënë ndjeshëm”. Ai tha se nuk kishte viktima.
Kjo ishte një kundërpërgjigje e dukeshme për sukseset e fundit ushtarake të Ukrainës në një kundërofensivë të shpejtë në rajonin verilindor Kharkiv. Ushtria ukrainase ka rimarrë pjesë të territorit të pushtuar duke i detyruar trupat ruse që të tërhiqen.
Ritmi i avancimit ukrainas duke se i ka zënë në befasi forcat ruse, ndërkohë që herë pas here raportohet se disa nga forcat e Moskës i kanë braktisur uniformat e tyre për t’u përzierme civilët.