Ditë më parë, saktësisht të dielën u bë e ditur se Kosovës i është avancuar statusi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, vendim ky që pritet të zyrtarizohet në muajin maj, atëherë edhe kur do të mbahet sesioni pranveror i kësaj asambleje.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka mirëpritur vendimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për avancimin e statusit të Kosovës.
Maqedonci në një postim në “X”, ka shkruar se ky është në hap i madh për sigurinë.
“Komiteti i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s vendosi ta avancojë Kuvendin e Kosovës nga vëzhgues parlamentar në anëtar të asocuar. Ky është një hap i madh përpara për sigurinë dhe prosperitetin e Kosovës dhe rajonit”, ka shkruar ai.
Ndërkaq një postim në Facebook, Maqedonci ka shtuar se në 25 vjetorin e fillimit të sulmeve të NATO-s po shënohet një kapitull të ri me lajmin që Komisioni i Përhershëm drejtues i Asamblesë Parlamentare të NATO-s ka marrë vendimin që Kosova nga vëzhgues parlamentar të pranohet si shtet anëtar i asocuar.
“24 marsi i vitit 1999 shënoi një momentum të ri për Kosovën dhe përpjekjen e saj për liri dhe shtet të pavarur, gjersa sot me këtë vendim të NATO-s jemi edhe një hap më afër drejt përmbushjes së qëllimit tonë si shtet i pacenueshëm e për Ballkan stabil”, ka shkruar ministri.
Por, cili është roli i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në të cilën avancoi Kosova?
Driton Hyseni, kryesues i Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-së, në një intervistë për Telegrafin e ka quajtur lajm të mirë avancimin e statusit të Kosovës në këtë asamble.
“Dje morëm një lajm shumë pozitiv nga Komiteti Drejtues i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, lajm i cili na kumtoi pra vendimin e këtij Komiteti sa i takon delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në kuadër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, se kërkesa jonë e bërë vitin e kaluar, respektivisht në muajin shtator ka marrë votat pro dhe ka kaluar në këtë Komitet Drejtues. Zyrtarizmi do të bëhet më 27 maj, në Sofje të Bullgarisë kur mbahet edhe sesioni pranveror i Asamblesë Parlamentare të NATO-s”, ka thënë mes tjerash ai.
Në intervistë ai ka thënë se kjo paraqet një përmbushje të gjitha atyre veprimeve që kanë ndërmarrë gjatë kësaj legjislature si delegacion i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“Për arsye se i kemi vënë vetës një qëllim si delegacion, respektivisht Kuvendi i Republikës së Kosovës, Kosova në kuadër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s të jetë e përfaqësuar më denjësisht, të ketë një rol shumë më përmbajtjesor, të ketë mundësi që zëri i Kosovës të dëgjohet edhe më shumë në kuadër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s”.
Hyseni pohoi se vendimi i së dielës sigurisht që tregon një avancim të statusit të këtij delegacioni në kuadër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, dhe rritjes së rolit të delegacionit të Kuvendit të Kosovës në kuadër të këtij institucioni mjaft i rëndësishëm ndërkombëtar.
“Unë mendoj që tregon edhe për një hap të sigurt të institucioneve të vendit, të vendit tonë drejt integrimeve në institucionet ndërkombëtare, në mekanizmat ndërkombëtarë në këtë rast, siç është Asambleja Parlamentare e NATO-s, një institucion jashtëzakonisht kredibil dhe i cili është si të thuash i unësuar me vetë aleancën”.
“Asambleja Parlamentare e NATO-s është themeluar në 1955 si një forum i cili mbledh të gjithë deputetët e vendeve anëtare të NATO-s, por edhe vendeve partnerë të NATO-s, përfshirë edhe mysafirë dhe delegacione të tjera që mund të kenë ndonjë status tjetër. Sikur që ishte rasti me delegacionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, që deri tani ishte në rolin e vëzhguesit.
Roli i Asamblesë Parlamentare të NATO-s është që krah NATO-s të jetë zëri i saj në shtrirjen, në promovimin në ngritjen e vlerave të NATO-s nëpër parlamentet respektive të vendeve anëtare dhe vendeve partnere, por sigurisht edhe të tillat vlera të tentojë edhe t’i zgjerojë edhe t’i promovojë edhe tek vendeve vendet që janë jo anëtare të NATO-s, roli i saj është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse qëndron shumë afër vetë NATO-s”, tha ai.
Hyseni pohoi se sekretarët e përgjithshëm të NATO-s, raportojnë në baza të rregullta në asamblenë parlamentare të NATO-s.
“Unë kam qenë prezent kur disa herë me radhë zoti Stoltenberg ka qenë raportues, ka mbajtur ekspozenë e tij, sa i takon zhvillimeve më të reja të NATO-s, me qëllim që mandej Asambleja Parlamentare të NATO-s të eci paralel me NATO-n, në ngritjen e vlerave të NATO-s. Por, edhe në trajtimin e çështjeve që lidhen me sigurinë, sidomos me zhvillimet e fundit sa i takon në luftës së Rusisë me Ukrainën në mënyrën më të mirë të synohet pra që ky konflikt të trajtohet nga NATO dhe rreziku që përbën Rusia mund të parandalohet, respektivisht të minimizohet”, tha ai.
Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në NATO, Hyseni tha se ka shumë sinjale pozitive.
“Si delegacion i Kuvendit të Republikës së Kosovës do të jemi afër të gjitha institucioneve vendore, të gjitha ministrive, të cilat ndërlidhen me procesin e integrimit, le të themi, të plotë të Republikës sonë në kuadër të NATO-s dhe do të bëjmë maksimumin që edhe ato kritere teknike që kanë nevojë të përmbushim në të ardhmen, të arrijmë t’i përmbushim shpejt.
Mirëpo, ju e dini që me këto procese jashtëzakonisht rol vendimtar luan qëndrimi politik i vendeve të ndryshme dhe në këtë rast me votimin e djeshëm disi kemi marrë shumë sinjale pozitive që edhe për proceset tjera integruese ne do të kemi një votë mirëkuptuese, një votë pro për proceset integruese që do të kalojë Kosova”, tha mes tjerash ai.
Hyseni theksoi se edhe në zhvillimet e fundit gjeopolitike që ishin, Kosova ka reaguar në të njëjtën kohë me të gjitha vendet anëtare të NATO-s.
Edhe Ministria e Mbrojtjes ka treguar se çka nënkupton në terma praktik avancimi i pozitës së Kosovës në kuadër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
”Kjo do të thotë shumë për ne si shtet, për hapin që po bëjmë përpara drejt përmbushjes së objektivave tona, për sigurinë e vendit por gjithashtu dhe rajonit duke marrë parasysh që fqinji ynë verior vazhdon të ketë qasje agresive karshi nesh. Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit të Kosovës në Asamblenë e NATO-s ne do të kemi zgjerim të delegacionit, pjesëmarrje në aktivitetet e komiteteve dhe nënkomiteteve, seancat plenare, si dhe përfshirje më të madhe në vendimet e Asamblesë me të drejtën dhe për adresimin e amandamenteve dhe komenteve për çdo proces dhe dokument që trajtohet nga Asambleja”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Liridona Gashi – zëdhënëse e Ministrisë së Mbrojtjes.
Vendim të një pessheje të madhe për Kosovën e vlerëson këtë hap ish-koloneli Afrim Veseli, teksa thotë se përmes tij po dërgohet edhe një mesazh diku.
“Kjo është një dhuratë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për Kosovën, pra ne veç duhet t’i kthehemi punës, ta lëmë atë sovranitetin që çdoherë po e flasim, sepse SHBA-të janë ato që po kujdesen vazhdimisht mbi 30 vite për Kosovën dhe arritjen e shtetit aty ku synon. Ky është një mesazh edhe për Serbinë edhe për ca qarqe tjera që po frikësohen se mos po cenohet sovraniteti i vendit”, ka deklaruar Afrim Veseli.
Për ish-kolonelin Hysen Gecaj kjo është një përpjekje e ndërkombëtarëve që rajonin e Ballkanit Perëndimor ta integrojë sa më parë në strukturat euro-atlantike.