Haradinaj i kundërpërgjigjet Vuçiqit: Vuçiq vuan nga urrejtja patologjike ndaj shqiptarëve,

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar sot me dy vjet burg ish-ministrin e Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL), Ivan Todosijeviq, i cili është shpallur fajtor për deklaratat që i kishte bërë në lidhje me shqiptarët dhe masakrën e Reçakut.

Lidhur me këtë, ai akuzohej për veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Ndaj këtij vendimi i menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryeministrit të Serbisë, Aleksander Vucic, i cili ndan po të njëjtin mendim sikurse të Ivan Todosijeviq, duke e quajtur masakrën e Reçakut falsifikim dhe mashtrim.

E këto fjalë Vuciqi duke se nuk i ka harruar nga ish-shefit i tij, Vojisllav Sheshel, të cilit i ka shërbyer me aq përkushtim gjatë viteve të nëntëdhjeta kur partia e padronit të tij, Partia Radikale Serbe ishte në koalicion me partinë e Kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq të quajtur Partia Socialiste Serbe.

“Krimi në Reçak është fabrikuar, ku gjithçka ka falsifikuar ai mashtruesi botëror, hajni dhe vagabondi William Walker”, kishte thënë Vuçiq

Ndërsa kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka thënë se urrejtja e Vuçiqit po shihet në deklaratën e tij të fundit.

“Urrejtja patologjike e Vuçiqit ndaj shqiptarëve, po dëshmohet edhe me deklarimin e tij të fundit, “se masakra e Reçakut e cila tronditi mbarë botën në vitin 1999 është e fabrikuar”. Ky qëndrim dëshmon qartë se Serbia edhe në formë institucionale e ruan paturpësisht mendësinë kriminale të trashëguar nga koha e Millosheviqit”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se është për keqardhje se si Serbia konsiderohet si shtet favor i Bashkimit Evropian derisa kultivon urrejtje etnike ndaj shqiptarëve.

“Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera dhe urrejtja ndaj secilës etni është vepër e dënueshme me ligj. Është për keqardhje se si Serbia, që konsiderohet si shtet favorit nga BE-ja, vazhdon ta kultivojë urrejtjen etnike ndaj shqiptarëve dhe mohon krimet gjenocidale të saja, duke kontaminuar kështu të ardhmen e tyre dhe duke zvogëluar shanset për paqe dhe pajtim në rajon”, shkruan Haradinaj.