Haradinaj: Po i dëmtojmë banorët e prekur nga tërmeti që po i sjellim këtu, Shqipëria nuk është në luftë!

Në Kosovë, qindra familje shqiptare, banorë të prekur nga tërmeti i së martës po vazhdojnë të qëndrojnë në qytete të ndryshme të vendit tonë.

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj në Info Magazine, ka thënë se Kosova si me institucione ashtu edhe populli ynë është mobilizuar me popullin shqiptar, por me situata të tilla duhet pasur kujdes, sidomos me strehim e banorëve të prekur nga tragjedia që janë sjellë me autobusa.

“Ka kontribut vullnetar, këto janë detyra shtetërore, nacionale, por për disa tema duhet të drejtohen tek qeveria tek zyra jonë. S’ka dilemë që qytetarët, institucionet e Kosovës dhe të gjithë kemi qenë të tronditur si me na ndodhë neve në shtëpinë tonë. Falenderim i madh shkon për FSK-në, Policinë e Kosovës, njësitet e tjera, por duhet të evitojmë situata kaotike dhe improvizuese, sepse bëhet fjalë për jetë njerëzish. Shteti shqiptar duhet të vlerësojë se cilët persona s’kanë mundësi t’i akomodojnë. Kur ne kemi ik atje gjatë luftës e kemi bërë se ka qenë në rrezik e gjithë Kosova, derisa atje nuk është luftë, por disa zona janë prek nga tërmeti”, ka thënë Haradinaj, përcjellë Indeksonline.

Ai ka shtuar se mund të shkojmë të ndërtojmë dhe të ndihmojmë për ta kaluar këtë situatë të rëndë, por t’i sjellim këtu banorët në organizime individuale, këtu nuk është më mirë se në Shqipëri.

“Këto janë organizime individuale, nuk duhet ashtu, se atje s’ka luftë. Klima është më e butë se atje, imagjinoni këtu mi pru që s’kaën zgjedhje gjatë natës. Po bëhen lëvizje të shpejta, po i dëmtojmë ata njerëz, dhe i bimë i lëshojmë diku.

Ka devijime gabime, informata të rreme, unë kam qenë në Kampin në Prizren, kam qenë në Durrës Shqiptari s’e kanë askënd në rrugë, mos t’i keqpërdorim njerëzit, nëse vijnë nuk e gjejnë më mirë se në Shqipëri”.

Kujtojmë që tërmeti që goditi Shqipërinë mori 52 jetë njerëzish, derisa mbeten të lënduar rreth 1000 të tjerë.