Haxhiu: Nuk mund të themi me siguri se marrëveshja me LDK-në do të ndodhë

Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, i ka bërë thirrje Lidhjes Demokratike të Kosovës që të heqin dorë nga barrikadimet.

Ajo pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se nuk ka garanci nëse një koalicion mes dy partive do të ndodhë.

“Do të bëjmë përpjekje për ta arritur koalicionin VV-LDK por nuk do të themi me siguri të plotë se kjo do të ndodhë sepse ka edhe barrikadime dhe unë mendoj që për sa kohë kemi barrikadime të tilla nuk mund të kemi një koalicion qeverisës”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se do të vazhdojnë të mundohen për koalicion, por se shton se nuk është e sigurt që do të arrihet një gjë e tillë.

Haxhiu iu ka bërë ftesë LDK-së që të heqin dorë nga barrikadimet.

Ajo thotë se kërkesa për postin e presidentit është e padrejtë, pasi thotë se nuk është në rregull që tani të flasin për emrin e presidentit.

“Takimi që kemi pasur mbrëmë ka qenë shumë i mirë, presim që sot në orën 16:00 do të arrijmë marrëveshje. Dje janë shpalosur të gjitha çështjet që nuk janë shpalosur më herët. Takimi dje ka qenë mjaft konstruktiv. Por, unë nuk mund të them me garancë që marrëveshja do të ndodhë. Është mirë që të ndodhë por nuk mund të garantojë”, ka thënë ajo.