Mbrëmjen e së shtunës Darya Dugin, vajza aleatit të ngushtë dhe ideologut të presidentit rus, Vladimir Putin, Alexandër Dugin, është vrarë në qytezën Bolshie Vyazyomy të Rusisë.
Darya, është ekzekutuar nëpërmjet eksplozivit, të vendosur në makinën e saj një Land Cruiser Prado. Makina në fakt ishte e babait, por për një arsye të panjohur ende ai nuk ishte me të. Supozohet që Aleksandër Dugin ka qenë target i atentatit.
Vrasja e Darya-s ka dritëhije të ndryshme.
Darya Dugina po ndiqte hapat e babait të saj. Aleksandër Dugin ishte më i njohur në perëndim sesa në vendin e tij.
Në Rusi ai është i lidhur me organizata ultra-nacionaliste.
Le të shikojmë për faktet që njohim.
Së pari. Vrasjet e qëllimshme, sulmet ndaj personaliteteve dhe administratorëve të ndryshëm, eliminimi i elementëve pjesë e sigurisë, janë episodet këto konstante në historinë ruse dhe ukrainase që gjatë Luftës së ftohtë. Pjesë e betejës të kundërshtarëve prej dekadash apo pjesë e grindjeve të mundshme të brendshme.
Së dyti. Sabotimi është shtuar pas fillimit të krizës dhe më pas të luftës, bashkëpunëtorët në zonat e pushtuara janë bërë objektiva. Veprimtaria e sabotazhit ka përfshirë edhe territorin rus. Një kombinim i sulmeve të organizuara nga forcat speciale dhe nga partizanët.
Kurse shërbimet sekrete të Moskës kanë shkaktuar shpërthime në fabrikat e huaja të armëve të dyshuara se furnizojnë Kievin. Të shtunën, dy rusë dhe një ukrainas u arrestuan teksa tentonin të hynin në një fabrikë të vjetër ushtarake në Shqipëri, një histori akoma për tu deshifruar.
Së treti. Darya dhe babai i saj përfaqësojnë objektiva politikë me vlerë të lartë. Sulmi – kushdo qoftë përgjegjës – përfaqëson një boshllëk në rrethin e mbrojtjes. Ajo ushqen dyshime dhe hipoteza dhe patjetër do të çojë drejt gjuetisë ndaj tradhtarit.
Makina e parkuar e Dugin-it ishte në kontroll të sigurisë prioritare përpara se bomba të shpërthente. Ishte Aleksandër që duhej të ishte goditur. Vetëm shërbimet ruse të sigurisë mund të kishin akses në makinë kur ajo ishte e parkuar si FSB, GRU, FSO, etj.
Të jashtëzakonshme janë ngjashmëritë në duelin Izrael-Iran, me shkencëtarë dhe gjeneralë të vrarë në operacione të padeklaruara.
Një lojë e përcaktuar si “sekrete” që zhvillohet megjithatë nën sytë e të gjithëve dhe jo në frontin e luftës.
Së katërti. Gjithmonë ka një mundësi mohimi. Bastisja me një dron kamikaze, përdorimi i një vrasësi të maskuar, apo substanca helmuese në ushqim ose një bombë magnetike e vendosur nën një fuoristradë lejojnë ata që godasin të mbajnë një distancë nga sulmi.
Në të njëjtën kohë, ata që janë viktima mund të vendosin se cilën tezë të ndjekin. Varet nga koha dhe konvenenca. Kjo është arsyeja pse ai është një instrument ” shumë i dashur” i luftës në faza të caktuara.
E pesta. Pro-rusët kanë akuzuar Kievin – i cili tashmë ka mohuar me vendosmëri çdo përfshirje – se qëndron pas shpërthimit që hoqi jetën e vajzës së ideologut, “Rasputinit të Kremlinit”. Ka të ngjarë që ata të kërkojnë hakmarrje në një sfidë që i shtyn kufijtë e tyre.
Së fundmi ajo që thuhet shumë rrallë është se një pjesë e ushtrisë dhe shërbimeve sekrete nuk janë aspak të kënaqura me mënyrën se si Moska po e trajton luftën në Ukrainë. Ndoshta ata që organizuan sulmin duan të na bëjnë të ditur shqetësimin e forcave të armatosura dhe FSB-së që kundërshton luftën në Ukrainë.
Pjesë nga artikulli i autorit Guido Olimpio nga “Corriere della Sera”. Përshtatur për Albanian Post