Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill ka paralajmëruar aktivitete intensive pas festave të fundvitit për gjetur zgjidhjen ndërmjet Kosovës e Serbisë nëpërmjet procesit të dialogut.
Sipas Hill, gjatë janarit do të nisin përpjekjet e para.
“Së pari duhet ta tejkalojmë këtë krizë, të mos lejojmë që të ndodhin gjëra të këqija, të mos e tolerojmë dhunën, të mos lejojmë që njerëzit të lëndohen. Çfarë është e rëndësishme në negociata – dhe unë kam qenë pjesë e tyre shumë herë – është që të shfrytëzohet momentumi drejt një zgjidhjeje politike. Dhe mendoj që do të shohim përpjekje në këtë drejtim në janar, kur të gjithë të kthehen nga pushimet. Mendoj se do të shohim shumë aktivitet me përpjekje për të ndërmarrë hapa politik në procesin e dialogut për të ecur përpara”, ka thënë Hill në një intervistë për edicionin serbisht të Euronews, transmeton Gazeta Express.
Për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbisë nëpërmjet dialogut, Hill ka thënë se do të ketë përpjekje nga BE-ja si dhe nga SHBA-ja.
“Do të varet nga aftësitë e ndërmjetësuesit, por edhe nga vetë aftësitë e negociatorëve, të cilët duhet të mendojnë se çfarë sjell kjo krizë. Pra, të mendojnë se duke u gjendur në krizë, a do të kenë investitorë. Zakonisht investitorët nuk janë të interesuar të shkojnë në shtete ku ka kriza të përhershme”, ka deklaruar ai.
Edhe i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes nuk do të ndalen, duke deklaruar se muaji mars i vitit 2023 është afati i fundit për arritjen e një marrëveshjeje.