Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze. Në një rast të tillë është përfshirë gjatë ditës së djeshme një pjesëtarë i Policisë së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur në rrethrrotullimin në rrugën ‘Tirana’ në Prishtinë, ku derisa po voziste veturën zyrtare, polici ka hasur në dy qytetarë të cilët i kanë kaluar afër me veturë dhe më pas janë ndalur e i janë drejtuar me fyerje.
Sipas burimeve, të dyshuarit kanë kërkuar llogari nga zyrtari policor, se përse s’iu ka dhënë përparësi për t’u kyçur në rreth rrotullim e më pas njëri nga ta e ka sharë dhe i ka kërkuar që të futet në veturë, ndërsa tjetri e ka goditur dhe e ka kërcënuar.
Polici ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që 39-vjeçari është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’.