I mllefosur me disa autorë serbë që në fund të shekullit XIX në botimet e tyre propagandonin se Skënderbeu ishte i gjakut serb, historiani, prifti, arqimandrit në Manastirin e Gërtegut në Frushka Gorë, Ilarion Ruvarac (1832 – 1905) më 1901 do të shkruante se ndihet i lumtur që është vendosur në rolin e rrënuesit të “idealeve të serbizmit” të tyre.
Edhe pse tema e trajtesës apo polemikës së Ruvarcit ishte kundërreagimi i tij rreth prejardhjes serbe të János Hunyadi (1407 – 1465) megjithatë, ai ka shkruar edhe kundër historianëve serbë që të njëjtën gjë ta bënin edhe me origjinën e Skënderbeut
Ilarion (i lindur si Jovan) Ruvarac (1832 – 1905) ishte historian, prift, arqimandrit në Manastirin e Gërtegut në Frushka Gorë (Vojvodinë). Ilarion Ruvarac njihet si themelues i historiografisë kritike serbe. Shkollimin e filloi në Karllovc të Sremit, më pastaj e vazhdoi në Vjenë. Në vitet 1852 dhe 1856, Ruvarac i studioi shkencat juridike në kryeqendrën austriake, duke u marrë njëkohësisht edhe me histori. Më saktësisht, Ruvarac u fokusua në studimin e burimeve historike dhe studimin krahasues të traditave popullore. Më 1872, u punësua profesor në Seminarin Teologjik të Karllovcit. Në qasjen e tij kritike ndaj historisë serbe, ndikim të madh mbi të patën historianët gjermanë profesorët universitarë si Jaeger, Schlosser dhe Gervinus. Shkrimet e tij në fakt janë polemika me përfaqësuesit e lëvizjes romantike serbe. Zaten, kjo qasje e Ilarion Ruvarcit i ka kushtuar atëherë, por edhe sot e kësaj dite, sepse vepra e tij e plotë akoma nuk është botuar! Ilarion Ruvarac vdiq si murg, në vitin 1905 në njërën prej qelive të Manastirit të Gërtegut ku edhe u varros. Ky tekst që do të botohet në dy vazhdime në Shtojcën për kulturë të “KOHËS Ditore” është botuar në revistën “Kollo” të Kroacisë në vitin 1901. Edhe pse tema e trajtesës apo polemikës së Ruvarcit ishte kundërreagimi i tij rreth prejardhjes serbe të János Hunyadi (1407 – 1465) megjithatë ai ka shkruar edhe kundër historianëve serbë që po ashtu, përpiqeshin që edhe origjinën e Gjergj Kastriot Skënderbeut ta nxirrnin serbe. Në anën tjetër, në polemikën e tij, Ilarion Ruvarac, ka dhënë shembuj të mirë të metodologjisë së citimit të drejtë dhe të saktë të burimeve historike, të leximit të drejtë të kartave kishtare dhe falsifikimit të tyre, më pastaj të leximit të shtrembër të burimeve mesjetare e të tjera. I mllefosur me disa autorë serbë që në fund të shekullit XIX në botimet e tyre propagandonin se Skënderbeu ishte i gjakut serb, Ruvarac ka shkruar se ndihet i lumtur që është vendosur në rolin e rrënuesit të “idealeve të serbizmit” të tyre. Titulli dhe nëntitujt janë të përkthyesit.
Ilarion Ruvarac
Origjina e János Hunyadit
Nën titullin e lartpërmendur, dikush e kishte paraqitur në nënfletën e gazetës pançevase “Kombet” (numri 16, viti 1901) studimin; “Të dhëna për origjinën e János Hunyadit që e ka shkruar János Karácsonyi “Adalék Hunyadi János származásához” Turul, fletorja numër 2, 1901, që bile kohë më parë u lexua në Shoqërinë Gjenealogjike të Hungarisë.
“Autori në të vërtetë nuk e thotë – dëshmon rrëfimtari – që János Hunyadi ka qenë i origjinës serbe, por një gjë e tillë buron vetvetiu prej të dhënave që ai i ka mbledhur. Pasi jo vetëm historia, por edhe poezia e jonë popullore e përmend dhe e ngre lart János Hunyadin, atëherë rezonimi i Karácsonyit (mendon rrëfimtari) do t’u interesojë edhe lexuesve tanë, ndërsa të thirrurve ky rezonim do të duhej t’u jepte shkas (mendon tutje rrëfimtari anonim) që ata bile duhet sa më parë ta ndriçojnë në mënyrë kritike origjinën e János Hunyadit”.
Duke e paraqitur shkurtimisht përmbajtjen e studimit të Karácsonyit, rrëfimtari anonim i apostrofon historianët tanë, duke ua tërhequr vërejtjen atyre “Ja një detyrë falënderuese për madje ‘historianët modernë’ që do të mund ta dëshmonin origjinën serbe të Jáno Hunyadit paraardhësit e të cilit – me këtë e përfundon rrëfimtari rrëfimin e tij – janë quajtur serb, Vojk, Radosllav dhe Selibar (Selimir) dhe duke ikur para vojvodës vlleh, ata erdhën në Hungari dhe aty përveç ndihmës së marrë ata fituan edhe titujt e fisnikëve dhe për ata paraardhës ndoshta do të mund të dëshmohej se duke ikur nga sulmet turke së pari kanë kërkuar strehim në Vllahinë ortodokse edhe duke mos gjetur ndihmën atje, ata arritën në Hungarinë romano-katolike dhe këtu nën detyrime që rrethanat vetvetiu i sjellin ata bile e ndryshuan edhe fenë.
János Hunyadi me origjinë ka qenë bullgar!
Dhe sot kur unë e shkruaj këtë tekst nuk do ta numëronim vitin 1901 prej lindjes së Krishtit, por megjithatë, do të kisha filluar të shkruaja diçka mbi origjinën e János Hunyadit qysh në shekullin e kaluar, të themi në vitin 1888. Është e vërtetë se i ndjeri Jovan Subotiq (1817 – 1886 shkrimtar serb) nuk thotë se János Hunyadi ka qenë me origjinë serbe, por bullgare, por ne do ta shohim se në çka e ka mbështetur mendimin e tij Subotiqi, që paraardhësit e János Hunyadit e kanë origjinën bullgare, dhe unë mendoj se do t’ia dal t’i bind lexuesit se baza e Subotiqit rreth kësaj çështjeje është shkapërderdhëse dhe kurrfare!
Gjithmonë është ngritur pyetja – me këto fjalë, e ka nisur studimin e tij historik i ndjeri Subotiq dhe sot e kësaj dite nuk ia ka dalë që të afrojë përgjigje në këtë pyetje: cilit popull me origjinë i ka takuar i famshmi Jánosi prej qytetit të Hunyadit gjithashtu, babai i të famshmit dhe të ngriturit në postin e mbretit Matija Korvinit?
Rreth tij përplasen katër popuj: a) romakët duke dëshmuar se ai ka pasur origjinë nga një familje e lashtë romake, Korvina ose është i lindur si vlleh; b) hungarezët; duke thënë se Jánosi me origjinë ka qenë Sikull (Zekel) degë e popullit hungarez; c) sllavët, duke e potencuar se Jánosi i tërheq rrënjët nga një familje polake Korvina dhe d) gjermanët duke e sjellë origjinën e tij në lidhje me carin gjerman Zhigmudin dhe mbretin e Hungarisë.
Dhe pasi i ka paraqitur të gjitha dëshmitë, dokumentet dhe mendimet e ndryshme për familjen dhe fisin e János Hunyadit, në faqen 17 të librit të sipërpërmendur, vjetari numër 78. Subotiqi ka pyetur: Pra çka është (János Hunyadi) Gjerman? Vlleh? Romak? Sikull? Serb? Bullgar dhe duke u përgjegjur në këtë pyetje thotë; nuk mund të mos e pranojmë, që nga dokumentet e afruara në radhë të parë duhet të themi se ai është bullgar, sepse mbreti Matija i biri i Jánosit, thotë në diplomën e vitit 1459 “a regibus Bulgariae, atauis nostris”, duke e zhvilluar më tej dhe duke ofruar edhe dëshmi në faqen 22 dhe në bazë të kësaj, duhet ta pranojmë se János Hunyadi me përkatësi kombëtare ishte bullgar edhe atë pasardhës i mbretërve bullgarë (carëve), ndërsa në faqen 31 ai sërish thotë; dhe kështu mendimi se Hunyadi është i origjinës sllave jo vetëm që qëndron ashtu, por aq më tepër mendimet ndryshe apo më të dobëta nuk kanë kurrfarë baze.
I ndjeri Subotiq pra i ka vënë bazat e mendimit të tij se Hunyadi është me origjinë bullgare, edhe atë mbretërore, duke u mbështetur në diplomën e mbretit Matisë të vitit 1459. Shikoje dhe lexoje atë diplomë për Gjergj Gjonin (ai është Gjergji i biri Gjonit, Skënderbeu shqiptar) dhe për Tomkë Marnjeviqin nga mbreti Matija Korvin, të publikuar në Vjetarin e Matica Sërpskës, libri 72 për vitin 1846 në faqet 87-94. I ndjeri Subotiq nuk ka dyshuar dhe duke mos dyshuar ai as nuk ka pyetur e hulumtuar paraprakisht; se a është ajo diplomë e mbretit Matisë e vërtetë apo autentike, është e falsifikuar apo e rrejshme. Aq më tepër, në faqen 96 të të njëjtit libër, pra Vjetarit, ai thotë se diploma është origjinale, e çmueshme dhe paraqet një burim të verifikuar mbi familjen Mërnjeviqiç për të cilën në historinë tonë deri më tash ka mbretëruar errësira.
Por ajo diplomë apo fletëz e mbretit Matisë nuk është origjinale, por është një fletëz e rrejshme, dhe atë fletëz e farkëtuar dhe ia ka bërë publike botës, ipeshkvi boshnjak, Fra Ivan Tomko Mërnaviq, në librin e shtypur në vitin 1632 në Romë me titull: “Indica Vestustatis et Nobilitatis familiae Marciae Vulgo Marnavitiae, per Jo. Tomcum ejusdem gentis collecta” etj (shih te Ivan Kukuljeviq në “Arkiv za povjestnicu jugoslavensku” libri IX, f. 242 – 265 edhe në Rad Jugoslavenske Akademije, libri XXXIII, Armin Paviqit të redaktuar Ivan Tomko Mrnaviq në faqet 119 dhe 120.
Vargu i falsifikimeve
Edhe zotëri Çeda Mijatoviq, autori i veprës “Dhespoti Gjuragj Brankoviqi” në dy pjesë (Beograd 1880 dhe 1882), sikur të kishte qenë më pak skeptik nuk do t’u ishte qasur fare atyre fletëzave të Mërnaviqit (sikur që ka bërë në pjesën e parë në faqet 385 – 387, ndërsa në pjesën e dytë në faqet 13 dhe 142 – 143), prandaj edhe nuk do të humbiste asgjë, ndërsa besimi në përdorimin e këtyre falsifikimeve ia ka hedhur hijen dhe madje e ka dëmtuar shkëlqimin dhe vlerën e librit të Mijatoviqit.
Mund të jetë e mundshme që veprën e sipërpërmendur të ipeshkvit Fra Ivan Tomko Mërnaviq të shtypur në vitin 1632 në Romë me titull: “Indica Vestustatis et Nobilitatis familiae… Marciae Vulgo Marnavitiae” nuk e ka pasur në duar askush as nga historianët hungarezë as nga autorët serbë (na fakt autori është kroat S. L.) pos Baltazar Kërçeliqit (1715 – 1778). Kërçeliqi e ka lexuar atë vepër dhe vetëm Zoti e di se pse i ka përshkruar ato fletëza dhe u ka dhënë hapësirë atyre në veprën e tij “Notitae praeliminares” pa e tërhequr vërejtjen mbi besueshmërinë e tyre. (Vepra është botuar në vitin 1770 S. L.) Prej Notitae-ve të Kërçeliqit më pastaj janë ribotuar ato fletëza te Kaprinai (Hungaria diplomatica etc) Katoni (Historia crtica regum Hungaria) Fejeri (Codex diplomaticus regni Hungaria) dhe të autorëve të tjerë. Dhe nëse këta autorë do t’i kishin lexuar me vëmendje hyrjen historike të Mërnaviqit në atë vepër, ata qysh në shikim të parë do ta kishin vërejtur se ato fletëza janë të arnuara prej vetë Tomë Mërnaviqit! Bile mund të ketë ndodhur që ato fletëza janë bërë me ndihmën e të tjerëve nëpërmes fletëzave origjinale boshnjake të lëshuara për personalitetet e tjera tek të cilat ka mundur të arrijë ipeshkvi boshnjak.
Duhet thënë në fund se vepra e sipërpërmendur e Mërnaviqit është libër i rrallë dhe nuk arrihet që të sigurohet lehtë. Unë isha i lumtur para disa vjetëe që pata rastin ta lexoja dhe për këtë i falënderohem mirësisë z. Ashbot nga Budapesta që është mirë i njohur për të gjithë serbët. Ai ma dërgoi librin pasi e kishte huazuar në njërën prej bibliotekave të atjeshme.
Kaq desha të them në përgjithësi për ato fletëzat e Mërnaviqit, ndërsa sa u përket atyre fletëzave të mbretit Matija të datës 1 nëntor 1459, prej nga i ka nxjerrë Subotiqi dhe se János Hunyadi ka qenë bullgar dhe vjen prej familjeve mbretërore (carëve) këtë e përsëris se ajo fletëz tërësisht dhe plotësisht është e rrejshme dhe për këtë dhe rezymeja e Subotiqit nuk ia vlen dhe duhet të hidhet poshtë.
János Hunyadi (1407 – 1465)
A ishte János Hunyadi nga Shqipëria e Veriut?
Dhe ky rrëfimtari i ri dhe anonim, i cili nuk ia ka haber punës dhe të shqyrtuarit e të birit serb, Jovan Subotiqit, mbi familjen e János Hunyadit dhe i cili e ka hulumtuar studimin e hungarezit János Karácsonyit dhe studimin serb ia ka paraqitur botës – unë them i këtij rrëfimtari se Akademia e Shkencave e Hungarisë e ka dëshmuar se János Hunyadi, heroi i njohur në këngët tona të vjetra dhe të reja me origjinë është serb nga Shqipëria e Veriut (Zeta e vjetër).
Eh, çfarë padije e madhe shihet në këtë rrëfimtar anonim!
Por të jemi të sinqertë!- pasi që edhe unë do të jem i sinqertë dhe më duhet ta pranoj se as vetë nuk e kam ditur se János Hunyadi ka qenë me origjinë serbe dhe bile prej Shqipërisë veriore (Zetës së moçme) deri sa nuk e kam lexuar “Osman Ivan Gunduliqin” botimin e Jovan Boshkoviqit të vitit 1889, të botuar në Zemun dhe rastësisht kam hasur në atë botim, ndërsa në faqen 241 midis shënimeve historike, gjeografike dhe mitologjike e kam gjetur edhe këtë shënim të Jovan Boshkoviqit se “sipas hulumtimeve të fundit të Akademisë së Shkencave të Hungarisë, János Hunyadi është me origjinë serbe dhe vjen nga Shqipëria e veriut (Zeta e moçme).
Dhe pse rrëfimtari anonim nuk ka pasur njohuri për botuesin Boshkoviq dhe “Osmanin” e Gunduliqit, por edhe për këtë shënim të Boshkoviqit në këtë botim, megjithatë, kjo do t’i falej atij rrëfimtari të ri të letërsisë serbe që edhe ashtu është dobët i versionuar dhe kush mund të kërkojë që rrëfimtari i studimit hungarez ka njohuri për çdo shënim të vogël të autorit shumë produktiv, Jovan Boshkoviq. Po se ai rrëfimtar, duke e shkruar rrëfimin me titull “Origjina e János Hunyadit” nuk ka ditur për hulumtimet e fundit të Akademisë së Shkencave të Hungarisë, prej të cilave do të mundej të bindej dhe të mësonte, se János Hunyadi me të vërtetë ka qenë me origjinë serbe edhe atë nga Shqipëria e veriut dhe këtë askush, po as vetë hungarezët nuk do të munden t’ia falin këtë!
Hamendjet dhe mungesa e argumenteve
Ta lëmë anash këtë rrëfimtarin serb, i cili di shumë pak dhe të kalojmë te Jovan Boshkoviqi, apo te shënimi i sipërpërmendur mbi “serbizimin” e János Hunyadit. Në atë shënim Jovan Boshkoviqi thotë se sipas hulumtimeve të fundit të Akademisë së Shkencave të Hungarisë, János Hunyadi me origjinë ka qenë serb. Hajde tani kërko e gjeje, nëse mundesh atë fletore apo librezë, atë shqyrtim historik, ose studim ku shkruan se János Hunyadi ka qenë serb me orgjinë! Dhe a thua tërë Akademia e Shkencave e Hungarisë hulumton në mënyrë korporative dhe dëshmon dhe a thua do të mund të hulumtohej ashtu dhe do të dëshmohej ashtu? Dhe a thua vetëm ekipi i historianëve i asaj akademie hulumton e jo disa anëtarë dhe njerëz të dijshëm: Pishta, Mishka dhe Janoshi, Pauleri, Franknoji, Vencllovi apo Marcalli? Dhe kur të gjitha këto i ka ditur i ndjeri Boshkoviq, pse nuk na e tha me emër e mbiemër atë studiues edhe atë hero midis hungarezëve dhe midis anëtarëve të Akademisë së Shkencave të Hungarisë, i cili ka dëshmuar se heroi më i madh hungarez János Hunyadi ka qenë serb me origjinë dhe ku në cilën faqe apo kapitull ai e ka dëshmuar këtë? “Akademia e Shkencave e Hungarisë” është nocion i gjerë dhe abstrakt, ndërsa ne do të donim ta njihnim njeriun prej mishi e gjaku i cili di dhe mund të shkruaj “me stilolaps e të shkarravisë nëpër letër të bardhë” që “Akademia e Hungarisë” nuk mundet dhe i cili njeri ka mundur vetëm të hulumtojë dhe të përpiqet duke hulumtuar dhe dëshmuar, se ajo që është duke na u dukur e bardhë në fakt nuk është e bardhë por e zezë, ose që János Hunyadi apo Jankulli nuk ka qenë hungar ose vllah, por mu serb, me origjinë serbe edhe atë nga Shqipëria e veriut (Zeta e moçme).
Pra, çfarë dobie kemi nga ajo që i ndjeri Jovan Boshkoviq në botimin e Zemunit të “Osmanit” të Gunduliqit në faqen 241 ka shkruar për János Hunyadin, kur nuk e dimë se kush prej hungarezëve apo prej vllehve dhe serbëve të hungarizuar midis shkrimeve të Akademisë së Shkencave të Hungarisë e ka dëshmuar dhe në cilën faqe të atyre shkrimeve ai jo vetëm qe e ka shkruar, por edhe e ka dëshmuar atë që e thotë Boshkoviqi se kjo akademi e ka hulumtuar?
Sa më përket mua, më duhet ta pranoj se unë nuk e kuptoj hungarishten dhe atëherë nuk mundemi që menjëherë t’i besojmë verbërisht autorit hungarez ose të hungarizuar, por pikë së pari duhet shqyrtuar dhe vënë në shikim kritik atë që historiani hungarez thotë dhe me çka ai e ka dëshmuar se János Hunyadi ka qenë serb me origjinë dhe vetëm atëherë pasi të jemi bindur, se nuk mund dhe nuk kemi mundësi të ofrojmë argumente kundër dëshmisë së tij, madje nga çdo anë, atëherë do të bërtasim; Iljen, por hungarez! Bile edhe nëse nuk do të ishte hungarez i vërtetë, por me origjinë edhe nga ndonjë fe tjetër, sikur që për shembull është prof. dr. Vilhem Fraknoji apo Marcalli.
Unë nuk i besoj historisë dhe historianëve serbë!
Së pari unë nuk besoj se János Hunyadi, apo siç është parë në regjistrimet e këngëve të vjetra bregdetare që Valtazar Bogishiqi (1834 – 1908) i ka publikuar në Gllasnik, librin e X dhe në botimin më të ri të Përmbledhjes Vukut I, dhe ku Bogishiqi thërret i ekzaltuar se “Ugrin Jánosi” ka qenë serb me origjinë.
E dyta, unë mendoj se János Hunyadi nuk mund të jetë me origjinë serbe dhe një gjë e tillë as që do të mundet të dëshmohet, qoftë që edhe sikur Akademitë e Shkencave të përpiqeshin dhe përveç tyre, bile edhe të gjithë shkrimtarët dhe shkencëtarët ta ndriçonin një gjë të tilla. Të gjithë bashkëkohanikët e János Hunyadi dhe të birit mbretit Matija, autorët e afërt dhe dëshmitarët thonë se ai ishte vllah me origjinë – bile edhe sot historianët më të mirë hungarezë dhe gjermanë nuk thonë gjë tjetër pos se ai ishte vllah me origjinë.
Dhe nëse krahas këtij rrëfimtarit anonim, cilido qoftë që edhe sot mendon se prapa emrave të atyre që në fletëzat e shkruara në latinisht quhen paraardhës dhe të afërm János Hunyadit, dhe do të mund të nxirrej dhe të dëshmohej origjina serbe e tij, më vjen keq që më duhet t’ua prish disponimin e mirë për një dëshmi të tillë me vërejtjen se prej atyre emrave sllavë, nëse ata me të vërtetë janë emra sllavë nuk mund të nxirret një përfundim i tillë dhe me këtë nuk mund të dëshmohet se János Hunyadi ka qenë serb me origjinë.
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe krisobulat
Në krisobulat e mbretërve serbë; të Zhicës, Shën Stefanit, Deçanit dhe të Shën Arkangjellit përmenden vllehtë dhe katundet vllahe dhe në ato katunde vllahe dhe midis vllehve njerëzit bartin emra vllehsh; Bun, Bunillo, Bukor, Barbat, Ballda, Balldovan, Buckat, Alltoman, Dajull, Vlladull, Njegull, Motull, Krecull, Radull, Rashull, Surdull, Hrajull, Kapor, Feçor; Singur, Shishman, Sharban dhe shumë emra të tjerë. Por krahas tyre dhe midis atyre vllehve dhe në katundet vllahe në tokat serbe përmenden bile katër, pesë herë më tepër njerëz me emra të pastër sllavë, nëse dëshironi me emra serbë. Dhe tani pyes se a mund të mendohet me të vërtetë se midis atyre njerëzve që quhen “Vlleh” dhe të cilët kanë jetuar në “katundet vllehe”, vllehtë kanë qenë të origjinës vllaho-romane apo serbe? Dhe nëse me të vërtetë mendohet kështu atëherë po e ndërpres shkrimin dhe shqyrtimin tim mbi origjinën e János Hunyadit dhe në fund këtyre djaloshëve dhe “Koljanëve” do t’u bërtisja: “Lëreni dhe hiqni dorë nga hulumtimi dhe dëshmimi i origjinës serbe” për János Hungarezin prej krahinës së Erdelit dhe të shqiptarit Gjergj Skënderbeut “Të birit të Gjonit”, sepse duke e hulumtuar këtë, jeni duke i hulumtuar konakët e Markut! (Jeni duke folur kotë duke i rënë rreth e rrotull – S. L). Dhe a nuk keni punë tjetër apo ndoshta jeni duke menduar se secila çështje që ju e hasni duke e lexuar historinë serbe tashmë është zgjidhur dhe nuk ju ka mbetur tjetër për të zgjidhur dhe ndriçuar!
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
Përktheu dhe përgatiti: Skënder Latifi