Historiani Hoxhaj në rolin e epidemiologut: Po të shpallej gjendja e jashtëzakonshme numri i të infektuarve do ishte më i vogël

Historiani Enver Hoxhaj, deputet dhe anëtar i kryesisë së PDK-së, në emisionin “Desku” në KTV ka thënë se sikur të shpallej gjendja e jashtëzakonshme para pesë javësh në Kosovë atëherë numri i të infektuarve do të ishte më i vogël.

Ai ka lavdëruar mjekët, policinë e shërbyesit e tjerë civilë për luftimin e Covid-19.

“Një punë jashtëzakonisht të mirë kanë bërë mjekët, policia, mësimfhënësit, shërbyesit civilë. IKSHKP-ja, Klinika Infektive kanë treguar se në këtë vend është krijuar një kapacitet i mirëfilltë për të reaguar në situata të tilla”, ka thënë Hoxhaj. “Në këtë kohë më shumë kanë udhëhequr mjekët. Reagimi mendoj se ka qenë i duhur”.

Sipas tij ka munguar një koncept i menduar mirë.

“Çfarë kanë bërë vendet e tjera është se kanë pasur një koncept afatshkurtër. Dhe mandej kanë bërë plan afatgjatë për pasojat pas pandemisë. E në Kosovë një gjë të tillë nuk e kemi parë. Përkundrazi ka pasur veprime ‘ad-hoc’. Nëse para 5 javësh do të shpallej gjendje e jashtëzakonshme numri i të infektuarve do të ishte më i vogël. E kjo pasi kontakti do të ishte më i vogël. Qëllimi kryesor ka qenë që të mbyllen kufijtë, të kontrollohen njerëzit dhe të menaxhohej më mirë. Së dyti ka teste pak. Nuk ka pas një qasje të menduar mirë”, ka thënë ai.