Historike, Kosova siguron medaljen e dytë olimpike

Sukses historik për Kosovën ka siguruar të hënën Nora Gjakova. Ajo është në finale të Lojërave Olimpike dhe kështu e ka medaljen e sigurt.

Është medalja e dytë për Kosovën në “Tokio 2020”, pas asaj të artë që e fitoi Distria Krasniqi të shtunën.

Është pjesëmarrja e dytë e Kosovës në ngjarjen më të madhe sportive. Në Rio 2016, Majlinda Kelmendi kishte fituar të artën. Tani Kosova i ka dy medalje në Tokio, ndërsa ka shpresë edhe për të tjera.

Nora garon në kategorinë deri 57 kilogramë, ndërsa në gjysmëfinale e mposhti japonezen Tsukasa Yoshida. Prej saj kishte humbur katër luftërat e kaluara. Por të hënën në Nippon Budokan në Tokio, Nora shkëlqeu.

Deri në gjysmëfinale Nora i kishte dy fitore. Mposhti fillimisht në raundin e dytë holandezen Sanne Verhagen e më pas sllovenen Kaja Kajzer. Nora ishte bartësja e tretë, ndërsa japonezja Yoshida e dyta.

Nora më herët këtë vit ka fituar medalje evropiane dhe botërore. Tani e ka të sigurt medaljen olimpike dhe natyrisht synon të artën. Viti i saj është i shkëlqyeshëm, karriera e saj është e shkëlqyeshme. Dhe xhudoja kosovare konfirmohet si forcë botërore.