Një efektiv i zyrës së Sherifit në Ohajo është arrestuar pasi një video ku ai godet me shkelm në fytyrë një të burgosur u publikua nga autoritetet.
Edhe pse i burgosuri ishte i shtrirë në tokë dhe në pranga, rreshteri Jesse Franklin, shihet që e godet me gjithë forcën në fytyrë, ndërsa kolegë të tjerë të tij mbajnë në tokë të burgosurin.
Sipas autoriteteve, ndërkohë që qëndronte i shtrirë, i burgosuri kishte kafshuar këpucën e rreshterit, çka solli më pas reagimin e tij. Megjithatë, sjellja do të ketë pasoja për efektivin, pasi tani mbi të rëndojnë akuza për sulm ndaj personit dhe sjellje të pahijshme në detyrë. Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon 6 muaj burg.
Ky është incidenti i radhës ku efektivë të forcave ligjzbatuese filmohen duke kryer veprime jo të rregullta me të burgosur ose persona të dyshuar. Ngjarjet e javëve të fundit, shumica prej tyre me sfond racor, kanë bërë që të shtohen zërat për uljen e buxheteve të Policisë në qytete dhe shtete të ndryshme amerikane.