Besart Dreshaj, drejtor i Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mjedis në Komunën e Istogut ka njoftuar se ekipet mjekësore e kanë dërguar një person nga stacioni i policisë së Istogut në klinikën infektive Prishtinë, si rast i dyshuar me shenja të COVID 19.
Dreshaj ka thënë se i dyshuari është banor i Podujevës, por që ishte arrestuar në Pejë dhe ishte transferuar në Istog.
“Me qëllim të rritjes së kujdesit, dua të ju informoj se sonte në orët e natës ekipi ynë mjekësor e dërgojë një person nga stacioni i policisë Istogut në klinikën infektive Prishtinë, si rast i dyshuar mê shenja të COVID 19! Përsoni , D.B i lindur me 1985, është një banor nga komuna e Podujevës, ishte i arrestuar në Pejë, ndërsa ishte transportuar në Istog. Fal Zotit nuk ka pas kontakt me asnjë qytetarë nga komuna Istogut!”, ka thënë Dreshaj.
Ai ka thënë se edhe pse stafi mjekësor ishte komplet me pajisje i maskuar dhe me veshje adekuate, ekipi i stafit mjekësor ka vendosur të izolohet.
“Apelojmë tek të gjithë qytetarët që të mos krijohet panik, por që t’i zbatojnë me përpikëri këshillat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë(OBSH) dhe IKSHP-së”, ka thënë tutje ai.